Dinamo, Shkëmbi: Kualifikimi do na bënte mirë dhe në kampionat

Pas suksesit 2-0 në ndeshjene parë, Dinamo do të zbresë edhe njëherë në “Air Albania”, ora 19:45, për të kompletuar misionin Kupë përballë Tiranës në turin e dytë. Sigurisht që humbja në kampionat, ka lënë shenjë, por ndërprerja për shkak të ndeshjeve të Kombëtares ka shërbyer në një farë mënyre për të marrë veten.
Në konferencën për shtyp në funksion të sfidës së nersërme, trajneri I bluve, Bledi Shkëmbi ka deklaruar: “Kjo ndërprerje erdhi në momentin e duhur për disa lojtarë, për gjendjen e tyre fizike. Janë rikuperuar disa lojtarë, por dhe psikologjikisht ky pushim ndikoi për mirë. Objektivi ynë në këtë sezon është që minimalisht të kampim Europën”.
“Për sfidën e nesërme, synimi ynë është që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të arrijmë kualifikimin. Më pas duhet të mendojmë për kampionatin, ku situata nuk është e thjeshtë për shkak të rezultateve jo të mira. Por ne kemi në skuadër lojtarë me eksperiencë që kanë provuar shumë gjatë karrierës së tyre. Gjithmonë mendojmë për ndeshjen e radhës, kualifikimi do na bënte mirë dhe në kampionat”, ka deklaruar Shkëmbi.