Tirana, Shehi me këmbë në tokë: Duhet shumë punë

Përsëri derbi, përsëri në Kupë. Bëhet fjalë për ndeshjen e kthimit të turit të dytë, atë mes Tiranës dhe Dinamos. Blutë kanë fituar të parën me rezultatin 2-0, kështu që për të besuarit e trajnerit Orges Shehi përpara është një pengesë e vështirë. Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhebluve ka deklaruar: “Jemi në disavantazh, na duhet shumë punë për përmbysjen, por ne do të zbresim në fushë për të fituar ndeshjen”.
“Në ndeshjen e parë bëmë 45 minuta jo të mira, më pas ndryshuam fytyrë. Nesë kemi një ndeshje për të përmbysur. Do doja që skuadra të tregojë përqëndrim maksimal. Vazhdimësia është shumë e rëndësishme, me këtë moto duam të vazhdojmë përpara. Në futboll duhet të përqëndrohesh për ndeshjen e radhës, neser do të hedhim në fushë të gjithë forcat tona, do tregojmë impenjim maksimal” .
“Mungesat? Kemi patur një javë jo të plotë për shkak të Kombëtares. Ismajlgeci ka luajtur me Shpresat, sot është bashkuar me ne. Edhe Seferi ishte me Kombëtaren. Xhixha nuk është në 100% të formës, do të monitorojmë gjendjen e tij. Mungon Hoxhallari në këtë sfidë, për shkak kartonash”.
“Objektivi? Duam të vazhdojmë sa më gjatë për të fituar trofeun. Sezoni është i gjatë, është e pavend të diskutojmë që tani për titullin. Na duhet të përqëndrohemi te ndeshja e Kupës. Më pas të mendojmë për ndeshjen me Kukësin në kampionat, kemi kohë deri të hënën për të menduar dhe për të mbledhur forcat”.