Dinamo fiton derbin, Egnatia surprizon Kukësin, “zgjohet” Partizani

Janë luajtur sot ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ku nuk kanë munguar edhe surprizat. Dinamo ka arritur të kalojë me sukses provën e parë në derbi përballë Tiranës duke fituar me rezultatin 2-0. Blutë kanë dominuar në pjesën e parë duke shënuar me Ibraimin(me penallti) në minutën e 26-të dhe Skukën në minutën e 38-të. Në pjesën e dytë Tirana u shfaq më kërkuese, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Dinamovitët luajtën më të tërhequr dhe arritën të administronin atë që kishin arritur gjatë 45 minutave të para.
Surpriza në këtë fazë të Kupës vjen nga Egnatia, e cila ka arritur të mundë Kukësin me rezultatin 3-1. Rrogozhinasit e bënë gjithçka të lehtë duke shënuar që në minutën e 3-të me anë të Imerit. Më pas, braziliani Kabral, me dopietëne tij(37’ dhe 65’), firmosi suksesin e skuadrës në këtë ndeshje të parë. Për verilindorët goli i vetëm u shënuar nga Puntus në minutën e 67-të.
Fitore në transfertë për Vllazninë, që ka mposhtur Pogradecin me rezultatin 2-0. Hoxhaj 2’ dhe Mustedanagiç 73′ firmosën suksesin e kuqebluve. Fitore dhe për Laçin, që ka mundur 1-0 Tomorin, gol i Ademit në minutën e 32-të. Sfida mes Flamurtarit dhe Kastriotit ka përfunduar në barazim 0-0.
Partizani është zgjuar në Kupë, duke marrë një fitore minimale 1-0 përballë një kundërshtari si Besëlidhja, e cila i ka hapur jo pak punë në vitet e fundit në këtë kompeticion. Ka mjaftuar një gol i Zhunior me penallti në fillim të ndeshjes, që të kuqtë të hedhin një hap të rëndësishëm në këtë kompeticion.
Fitore 1-0 edhe për Teutën në Peshkopi përballë Korabit, vendosi goli i Lorenco Vilës në fundin e pjesës së parë. Barazim 1-1 mes Bylisit dhe Skënderbeut.
Kupa e Shqipërisë(Ndeshjet e para të turit të dytë)
Grupi A
Korabi-Teuta 0-1
Besëlidhja-Partizani 0-1
Bylis-Skënderbeu 1-1
Dinamo-Tirana 2-0
Grupi B
Tomori-Laçi 0-1
Pogradeci-Vllaznia 0-2
Egnatia-Kukësi 3-1
Flamurtari-Kastrioti 0-0