E Enjte, 5 Nëntor 2026

Erzeni, Dede: E rëndësishme është që nuk pësojmë

Erzeni është rikthyer në grupin e skuadrave pretendente, pas atij fillimsezoni të vështirë ku munguan rezultatet. Fitorja më e fundit, ajo me Tërbunin me rezultatin 2-0 i ka dhënë shumë besim skuadrës dhe stafit në rrugën që po ndjekin. Për të komentuar situatën që po kalon skuadra, në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH ishte i pranishëm trajneri, Nevil Dede.

“Pavarësisht fitores së arritur, përballë Tërbunit nuk ishte aspak e lehtë. Është një skuadër fushe, ku të gjitha do e kenë të vështirë. Arritëm të gjenim golin shpejt dhe kjo na e bëri më të lehtë për të marrë maksimumin në këtë sfidë. Kemi një skuadër të gërshetuar mirë, por më e rëndësishmja është që nuk kemi pësuar gol. Po punojmë për të vazhduar në këtë rrugë”.

“Çfarë më bindi që të drejtoja në Kategorinë e Parë? Projekti, kontratat afatgjata të lojtarëve dhe vullneti i mirë i kryetarit të Bashkisë më bindën që të marr drejtimin e Erzenit. Nuk dua të përmend emra, më intereson grupi, por duhet thënë se kemi marrë emra të rëndësishëm për të pretenduar në këtë kategori. Garacian financiare është shumë e rëndësishme. Nuk është se janë bërë sakrifica të mëdha, por kemi një buxhet të mirë dhe lojtarë të mirë”.

“Mendoj se çdo gjë po shkon mirë deri tani. E mira nuk ka fund, por ne po punojmë, po përmirësohemi. Edhe lojtarët e rinj zhvillohen më mirë në një klub që ka projekte afatgjatë. E bukura e Kategorisë së Parë është riformatimi. Ne shikojmë në çdo qytet se çfarë futbolli ka. Kudo luhet futboll dhe të gjithë stërviten. Ka pak problem përsa i përket fushave stërvitore, por gjysma e skuadrave kanë kushtet e duhura”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›