Dinamo sot lamtumira zyrtare per Luis Blankon
Divorci Dinamo-Blanko numëron orët e zyrtarizimit. Tashmë gjithçka ka arritur në limite. Drejtuesit e klubit duket se kanë zgjedhur manovrën e lodhjes së trajnerit argjentinas, së pari duke e lënë të vetëm përballë shtypit, i cili e ka “shkarkuar” prej më shumë se dy javësh. Së dyti duke mos i mundësuar një takim, ku do të mund të sqarohej për situatën. Së treti duke mos i shlyer detyrimet për rrogat e prapambetura dhe së katërti në takimin e mundësuar dje, nuk kanë sqaruar asgjë në lidhje me të ardhmen. Më në fund duket se ia kanë arritur qëllimit. Edhe vetë Blanko tashmë ndihet i lodhur dhe i ofenduar nga mënyra se si po e trajtojnë. Dhe, edhe sikur nga klubi të mos i kërkohet largimi nga posti i trajnerit, gjasat janë që as ai vetë të mos ketë të dëshirë të vazhdojë më këtë projekt. Dje, më në fund, ai ka mundur të sigurojë një takim me presidentin Besnik Sulaj. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe bashkëkombësit e trajnerit, përgatitësi atletik i bluve, Markos Konena, dhe futbollisti Garcia. Të tre e kanë kaluar festën e Krishtlindjeve në Tiranë, vetëm për faktin se nuk ishin likuiduar financiarisht dhe nuk kishin sqaruar ende nëse do të ishin apo jo më pjesë e planeve të Dinamos për të ardhmen. Por takimi i djeshëm, që zgjati rreth 60 minuta, nuk rezultoi përfundimtar. Palët kanë diskutuar mbi pagesat e prapambetura, për të cilat është vendosur, që do t’i marrin në dorë përfundimisht sot. Për sa i përket çështjes që lidhet me fatet e tyre te Dinamo, gjithçka është shtyrë për takimin e radhës, i cili do të zhvillohet po sot. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë zëvendëspresidenti i bluve, Avni Braçe, në një kontakt telefonik me gazetën: “Nuk është vendosur asgjë. Në takimin e nesërm (sot) pritet të zgjidhet gjithçka”. Krahu i djathtë i Sulës nuk ka dashur të zbulojë opsionet që do të hidhen sot në tavolinën e bisedimeve. Ndërkohë, burime të besueshme pranë Presidencës bënë të ditur se gjithçka tashmë ka marrë fund. Blanko nuk do të jetë më trajneri i Dinamos. Sot do të vijë vetëm zyrtarizimi i lamtumirës së tij. E ndërsa marrëdhënia me Blankon ka arritur në limite, tashmë duket se është bërë edhe përzgjedhja përfundimtare mes tre kandidatëve në garë për të zënë vendin e tij në pankinën e Dinamos: Ilir Daja, Shpëtim Duro dhe Sulejman Starova. Letrat janë përzier dhe në fund, në 24 orët e fundit, më i favorizuari është Ilir Daja, i cili do të rikthehet për të dytën herë në stolin e dinamovitëve pas sezonit 2007-2008 (kur fitoi titullin e 17 kampion për klubin dhe të dytin personal si trajner, pas atij të fituar me Elbasanin). Ai është me shumë mundësi i përzgjedhuri, edhe për faktin se pa ikur ende Blanko, drejtuesit e klubit i kanë kërkuar të bëjë një plan-stërvitjeje për fazën përgatitore gjatë pauzës dimërore të kampionatit. Këtë fazë përgatitore blutë do ta zhvillojnë në Antalia të Turqisë, drejt së cilës pritet të udhëtojnë vetëm rreth datës 7 janar.