E Shtunë, 31 Tetor 2026

3.5 milione euro per transformimin e Amfiteatrit te Durresit

Një projektide prej 3.5 milionë eurosh synon rivitalizimin e Amfiteatrit Antik të Durrësit. I hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Universiteti i Parmës, parashikohet ngritja e një salle për koncerte dhome, një minimuze dhe transformimi i arenës në një plate për koncerte apo festivale të mëdha

Një vendim i Këshillit të Ministrave ka miratuar shembjen e shtëpive që ndodhen mbi Amfiteatrin Antik të Durrësit, duke u   hapur rrugë gërmimeve arkeologjike në këtë pjesë. Nga ana tjetër,  një projekt i përgatitur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Universiteti i Parmës (prej disa vitesh kryejnë ekspedita në këtë monument), pretendon rivitalizimin e plotë të këtij amfiteatri. Përfshihet në këtë projekt edhe gërmimi arkeologjik në zonën nga ku do të shpërngulen shtëpitë. Sipas Apollon Baçes, drejtor i IMK-së, zbatimi do të fillojë që në gjashtëmujorin e parë të 2011-s, ndonëse ende fondet nuk janë gjetur. Sipas parashikimeve në vija të trasha, llogaritet që do të duhen rreth 3.5-4 milionë euro. “Amfiteatri i Durrësit është nga më të rëndësishmit, meqë mendohet të jetë  i katërti në botë për nga madhësia. Shpronësimi i shtëpive, një problem i ngritur prej kohësh, do të lejojë gërmime të rregullta arkeologjike, e në të njëjtën kohë edhe sistemimin e pjesëve të tjera të amfiteatrit”, thotë Baçe. Sipas tij, ky projekt presupozon që të kthejë fluksin turistik në këtë vend. “Përmes këtij rivitalizimi do të shihen vlerat e tij arkitektonike, realizuar nga ndërtuesit e përsosur romakë 2000 mijë vjet më parë. Ky monument nuk do të shërbejë thjesht në vetvete. Në galeritë e amfiteatrit do të vendosen vitrina ku të ekspozohen objekte të gjetura gjatë gërmimeve dhe stenda që tregojnë historinë e këtij monumenti. Do të funksionojnë si një minimuze”, thekson ai. Po sipas kësaj projektideje që do të kthehet e zbatueshme nga specialistët e IMK-së në bashkëpunim me specialistët italianë, mendohet që një nga galeritë e amfiteatrit të përshtatet për koncerte me muzikë dhome, falë akustikës së saj. Arena e madhe mendohet të kthehet po ashtu funksionale. Sipas Baçes, mund të ecet në shembullin e Amfiteatrit të Veronës apo të Efesit, duke e kthyer në një qendër shfaqjesh apo festivalesh. “Mendojmë të kthehet në një punë plateje, të jepen shfaqje me një numër të madh spektatorësh e që mund të tërheqin vëmendjen për t’u organizuar aktivitete që e kalojnë karakterin kombëtar. Nga ana tjetër, do të ndërhyhet edhe në shkallaret. Deri më tani ato kanë qenë pre e grabitjes, i janë marrë veshjet me pllaka të gurta dhe në gjendjen që është duket e shkatërruar. Ne kemi menduar të kthehet në një tip llozhe për aktivitete që tërheqin një publik të madh”, thorë Baçe. Risku i përhershëm në projekte të tilla ka të bëjë me ndërhyrje që cenojnë identitetin dhe imazhin e monumenteve mijëravjeçare të kulturës. A parashikon ky projekt zgjidhjen më të mirë të mundshme. Sipas Baçes, ata nuk kanë tentuar t’i kthejnë në origjinalitet shkallaret duke e justifikuar këtë veprim me faktin se kjo mund të rrezikonte përftimin e një pamje false. Në të kundërt, është menduar që në to të vendosen ndenjëse të lehta plastike të diferencuara nga njëra-tjetra. A i jep kjo siguri monumentit? Drejtori i IMK-së thotë se nuk do të preket struktura dhe po ashtu në galeritë e amfiteatrit do të mundohen të ruajnë sa më shumë të jetë e mundur origjinalitetin e tyre. Sigurisht që pas zbatimit të këtij projekti me një fond prej 3.5-4 milionë eurosh, për të cilin Baçe thotë se mund të rikuperohet nga të ardhurat e turistëve, do të kërkojë edhe përkujdesje. Pjesën administrative mendohet ta zgjidhë Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Durrës, por do të duhet të zgjidhet puna e rojeve apo e ciceronit të amfiteatrit. “Në gjashtëmujorin e parë të 2011-s do të kemi arritur të grumbullojmë fondet dhe të fillojmë zbatimin e projektit. Paralelisht mund të punohet edhe për gërmimin arkeologjik të pjesës ende të pazbuluar”, thotë Baçe. Në fakt, gjithë këtë vëmendje ndaj monumenteve të qytetit të Durrësit, Baçe ia vesh vullnetit politik, duke theksuar se është fat që ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, është nga ky qytet dhe ka sensibilitet ndaj tij, ashtu siç ka pasur edhe nga pushteti lokal. Detajet e projektit do të kalojnë më parë në Këshillin Kombëtar të Restaurimit, për t’i hapur udhë zbatimit të tij konkret.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›