E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, tjetërbarazim, Flamurtarie mbyll i pari

TIRANE- Flamurtari e ka mbyllur i pari vitin 2010, pas fitores së vështirë të arritur sot ndaj Teutës. Vlonjatët kanë arritur suksesin e tetë në tetë ndeshje të zhvilluara në shtëpi për këtë fazë të parë të kampionatit, ç’ka tregon se mbeten një nga ekipet më të forta të këtij edicioni. Gjithsesi, fitorja e ndaj durrsakëve nuk ka qenë aq e lehtë, madje në fushë ka patur shumë pak raste dhe emocione, për të mos folur pastaj për cilësi në lojë. Deri në minutën e 75-të vlonjatët e kanë patur tepër të vështirë për të shënuar, ndërsa ishte Ahmataj ai që nxorri nga “telashet” skuadrën e Maganit, duke mposhtur portierin Rizvani.
Dinamo
Ndërkohë, Dinamo nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen ndaj Vllaznisë, duke treguar se kriza që ka përfshirë këtë skuadër është më e rëndë nga ç’ishte menduar. Blutë janë padyshim ekipi më i kompletuar i kampionatit, por nuk fitojnë që prej 2 nëntorit në Krujë dhe kjo tregon shumë. Në këtë takim nuk ishte gjyqtari Albano Janku, por portieri shkodran Armir Grima ai që ndaloi skuadrën e Blankos të merrte fitoren. Veterani i kuqebluve, fillimisht priti një penallti të ekzekutuar dobët nga Muzaka në minutën e 51-të, ndërsa në minutën e fundit, Grima ndaloi Emiljano Vilën të realizonte vetëm për vetëm me të. Me barazimin e sotëm, shkodranët e çuan në 10 numrin e ndeshjeve pozitive mes kampionatit dhe Kupës. Vllaznia ka 28 pikë në tabelën e renditjes, duke ruajtur të paprekur vendin e tretë, ndonëse i duhet të presë sfidën e sotme mes Laçit dhe Tiranës.
Skënderbeu
Skënderbeu ruajti hapin e kryesuesve të Flamurtarit, pas fitores 1-0 të arritur në Korçë përballë Elbasanit. Ndeshja ka qenë tepër e vështirë për korçarët edhe pse verdheblutë në një moment u duk sikur hapën portën. Por, Joliç dhe Bërkiç kanë qenë të dy në një ditë të errët, duke mos arritur të realizojnë dot në mundësitë e shumta që iu krijuan. Në minutën e 68-të ishte kapiteni Bledi Shkëmbi ai që arriti të zhbllokonte shifrat, duke i dhënë fitoren skuadrës së drejtuar nga Shkëlqim Muça. Me fitoren e djeshme, Skënderbeu u ngjit në kuotën e 31 pikëve, 3 më pak se Flamurtari.
Ndeshjet të premten
Viti 2010 i futbollit shqiptar do të mbyllet me tre ndeshjet e fundit, që do të luhen të premten. Tirana do të ketë një transfertë mjaft të vështirë në Laç, ndaj një skuadre që në fushën e saj ka qenë e fortë për këdo në dy sezonet e fundit. Bardheblutë vijnë pas një momenti të mirë forme në javët e fundit, por në transfertë kanë treguar probleme të shumta gjatë këtij sezoni. Ndërkohë, ndeshja më e “nxehtë” është ajo që do të zhvillohet në Kavajë, mes Besës dhe Shkumbinit. Të dy këto ekipe kanë pasur probleme të shumta në dy vitet e fundit me njëra-tjetrën, që shpesh kanë çuar në akte dhune. Takimi tjetër është ai mes Kastriotit dhe Bylisit.

SUPERLIGA
Java 16-të
Sot
Dinamo-Vllaznia 0-0
Flamurtari-Teuta 1-0
Skënderbeu-Elbasani 1-0
Nesër
Kastrioti-Bylis
Laçi-Tirana
Besa-Shkumbini
RENDITJA
Flamurtari 34
Skënderbeu 31
Vllaznia 28
Tirana 25
Dinamo 25
Teuta 21
Laçi 20
Shkumbini 20
Kastrioti 17
Bylis 15
Besa 12
Elbasani 9

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›