E Hënë, 2 Nëntor 2026

Diplo 2025, Hasani: Çojmë në Kuvend ligjin e ri për transformimin e rrjetit diplomatik, brenda pak javësh hapim 2 grupkapitujt e fundit

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në fjalën e tij në konferencën e ambasadorëve “Diplo 2025”, “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, ka bërë me dije se ditët e ardhshme do të shkojë në Kuvend projektligji i ri për transformimin e rrjetit diplomatik, që do të jetë hapi i parë i një pakete reformash me qëllim përafrimin e shërbimit të jashtëm me realitetin e kohës.

“Rritja e rolit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare është shoqëruar me zgjerimin e rrjetit diplomatik. Gjatë një viti janë hapur 7 përfaqësi të reja duke ecur numrin në  60. Po punojmë që konsullatat dhe ambasadat tona të shndërrohen në qendra shërbimi për qytetarët dhe bizneset. Po modernizojmë shërbimet konsullore, më të shpejta dhe të aksesueshme dhe po kthejmë diplomacinë ekonomike në instrument konkret për investim dhe teknologji të reja. Ky transformim do përshpejtohet me ligjin e ri që do i paraqitet parlamentit ditët e ardhshme”, deklaroi Hasani.

Projektligji ka në fokus ngritjen e Akademisë Diplomatike që do të bazohet në modelet më të mira europiane. Reformimi i kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm, përmirësimi i burimeve njerëzore dhe rritja e profesionalizmit do të jenë themelet ku ai do të bazohet.

Në Konferencën e Ambasadorëve i pranishëm ka qenë dhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky projektligj vjen si nevojë për një trupë diplomatike më të motivuar dhe për të arritur këtë, shtoi ai, do duhet “një motivim më i madh financiar i shërbimeve tona të jashtme”.

Anëtarësimi në BE, Hasani: Busulla jonë strategjike

Në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ministri Hasani deklaroi se javën e ardhshme do të hapet një tjetër grupkapitull i rëndësishëm dhe brenda pak javësh do të hapet dhe grupkapitulli i fundit me qëllim çeljen e negociatave brenda vitit 2027.

Hasani theksoi se Shqipëria është shembulli që rajoni mund të arrijë kur zgjedh integrimin dhe bashkëpiunimin.

“Shqipëria ka zgjedhur qartë rrugën e saj, ne qëndrojmë krahë aleatëve euroatlantikë si anëtar të NATO dhe vend që ecën krah për krah me BE dhe SHBA. Ne mbrojmë paqen, ligjin dhe lirinë. Ky është mision historik që garanton sigurinë dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Integrimi është busulla jonë strategjike. Kemi hapur 4 grupkapituj dhe brenda pak javësh do hapim dhe dy të fundit; tjetrin javën e ardhshme.

Shqipëria është kontribuuese e sigurisë kolektive me pjesëmarrje në misione ndërkombëtare dhe me angazhimin për të organizuar samitin e NATO në 2027, kemi treguar se jemi partnerë të besueshëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi. Modernizimi i FA, investimet në infrastrukturën strategjike e bëjnë Shqipërinë një aleatë më të rëndësishëm për aleancën. Ballkani Perëndimor është pasqyra ku Shqipëria provon seriozitetin e saj se do mbetet faktor stabiliteti”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›