E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri i jashtëm i Qipros në Tiranë, takohet me Spiropalin e Hasanin

Ministri i Punëve të Jashtme të Qipros, Constantinos Kombos është pritur në takime të ndara nga homologu Igli Hasani dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

Në takimin mes Kombos e Hasanit, fokus i bisedës ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Hasani nënvizoi se integrimi evropian është prioritet kombëtar dhe theksoi rolin që do të ketë Presidenca e ardhshme e Qipros në Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2026:

“Presim të thellojmë bashkëpunimin me Qipron gjatë Presidencës së saj, një moment kyç për të avancuar integrimin e Shqipërisë.”, tha Hasani.

Takimi u fokusua gjithashtu tek forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fusha si ekonomia, turizmi, energjia dhe lidhjet tregtare, si dhe tek mundësitë për projekte të përbashkëta me interes për të dy vendet.

Po ashtu, Kombos u prit në takim edhe nga kryeparlamentarja Spiropali, ndërsa në takim ka qenë e pranishme  Ambasadorja Luela Hajdaraga.

Gjatë takimit, u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe vijimin e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe politike dhe bashkëpunimi parlamentar me Qipron po zgjerohen e intensifikohen, në të gjitha nivelet. Presidenca Qipriote e Bashkimit Europian, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, do të jetë një momentum i favorshëm dhe mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mbështetja e gjerë popullore është frymëzuese, por edhe një detyrim i madh për Kuvendin, lidershipin e tij dhe konsensusin parlamentar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.”, nënvizoi Spiropali.   

Ministri Kombos vuri në dukje se politikat e zgjerimit dhe integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përbëjnë një prioritet  të Presidencës Qipriote dhe Qipro do të vijojë të mbështesë fuqimisht përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vizita e Ministrit Kombos në Tiranë shënon një hap të ri në bashkëpunimin politik midis Shqipërisë dhe Qipros, në prag të 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›