Diplomaci reale apo imagjinare?
Ilir Kalemaj
Ka disa kohë që po i mëshohet shumë axhendës diplomatike të politikanëve shqiptarë. Mediat duket se janë obsesionuar me faktin se kush shkoi i pari apo i fundit në Uashington, kë takoi, kush udhëton më shpesh dhe ku dhe çfarë simbolike kjo përcjell, si dhe sa është paguar nën dorë për sigurimin e vizitave të tilla. Pak apo aspak rëndësi i kushtohet çfarë u tha në takim, çfarë propozimesh konkrete parashtroi iks shtetar apo ypsilon politikane, cilat mundësi biznesi paraqiti me qëllim thithjen e investimeve të huaja, cilat projekt-propozime konkrete kishte përgatitur në avancë stafi i tij / saj e me radhë. Madje edhe kur marrin me vete biznesmenë, duket se më tepër bëhet për fasadë dhe diskutohet me biznesmenët shqiptarë por kësaj here në Tokio apo Nju Jork sesa të synohet tërheqja e investimeve të huaja në Shqipëri.
Diplomacia nuk mund të bëhet me hartime të tipit kemi diellin dhe rërën, na ka bekuar Zoti me fusha dhe male, por me projekte konkrete ku të specifikohet veçanërisht përfitimi i mundshëm që do ketë filan apo fistek shumëkombëshe apo korporatë e cila po nxitet të vijë të investojë këtu. Vetëm në muajt e fundit, patëm 3-4 shkëmbime vizitash të rangut të lartë me Katarin, vendin me rritjen absolute më të lartë ekonomike në botë për momentin si dhe të ardhurat për frymë të më larta në botë, duke kaluar edhe Luksemburgun. Një vend me rezerva të jashtëzakonshme gazi natyror dhe me surplus buxhetor dhe teprica të ardhurash të cilat duan ti investojnë mundësisht në Evropë. Shkuan me radhë ministri i jashtë, kryebashkiaku dhe presidenti, madje erdhi dhe kryeministri i atij vendi këtej pari dhe në çdo takim u përsërit kërkesa e tyre parësore, që ishin të interesuar për një agjendë ekonomike konkrete dhe plane specifike që duheshin paraqitur nga pala shqiptare.
Ndërsa këta tanët përsërisin të njëjtat refrene të mërzitshme të protokollit diplomatik të cilat përveç një gjuhe të burokratizuar nuk përcjellin asgjë. Përveç ndoshta mungesës së çdolloj përgatitje për t`i nxitur realisht investimet në sektorë strategjikë dhe ku përfitimet do jenë të dyanshme. Nga ana tjetër, në çdo takim që po bën kryeministri marrim vesh që është bërë ftesa e radhës për të vizituar Shqipërinë, mundësisht për 100 vjetorin e pavarësisë në 28 nëntor të këtij viti, por asnjë artikulim se çfarë u synua të arrihej dhe çfarë përfitoi Shqipëria konkretisht nga takimi i radhës. Nuk ngelet gjë tjetër veçse të shpresojmë që diplomacia të zgjohet dhe të fillojë të përfaqësojë interesat e diasporës në vendet pritëse, të lobojë për tërheqjen e investimeve, të ngrejë zërin për të drejtat e shqiptarëve ku këta janë minoritete apo popullsi shtetformuese në vendet fqinjë dhe të jetë në sintoni të plotë me interesat kombëtare të cilat duhet të shkojnë përtej zënkave të pambarimta të politikës së ditës, ku diplomacia përdoret vetëm si dekor për të përftuar kapital politik që të përdoret kundër partive kundërshtare brenda vendit.