E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për mjedisin dhe fondet e munguara

 Flamur Bime / Kryetar i Bashkisë Gjirokastër

Gjirokastra është qyteti që ka një traditë shekullore pastërtie dhe miradministrimi. Anetë e famshme të Gjirokastrës e kishin zakon që çdo javë, në një ditë të caktuar me unanimitet gjitonie, dilnin e pastronin çdo sokak, lyenin muret me gëlqere të bardhë, trungjet e pemëve, etj. Këtë traditë ne e kemi rizgjuar në qytet duke rikthyer qetësinë dhe pastërtinë karakteristike. Gjirokastra nuk jeton dot pa këtë ritual. Bashkia e Gjirokastrës ka hapur një zyrë të posaçme për ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit, që drejtohet nga një biolog dhe disa inspektorë mjedisi. Kjo zyrë ka si detyrë ruajtjen e parametrave dhe standardeve bashkëkohore të mjedisit, komunikimin e zgjidhjen e problemeve mjedisore e ambientale me qytetarët e sidomos promovimin e nismave në funksion të mjedisit. Është e zakonshme që në qytet të organizohen aksione, veprimtari, konkurse e deri punë të përbashkëta komunitare në shërbim të mjedisit. Gjirokastra është ndoshta qyteti më i  lulëzuar në vend.

Për çdo vit mbillen mbi 1500 rrënjë pemësh dekorative në kurorat e Këcullës, rrotull Kalasë, në Kodrën e Shtufit, në lagjen Zinxhira, Manet, si dhe në parkun e Viroit. Lulet janë një nga përparësitë e qytetit i cili në katër vitet e fundit e ka 8 fishuar sipërfaqen me parqe, lulishte e kënde të gjelbëruara. Ndërmarrja Komunale ka një sektor të gjerë e plot përvojë në dekorin dhe gjelbërimin. Studimet tregojnë se Gjirokastra zë vendin e parë në Shqipëri për cilësinë e ajrit dhe pastërtinë, kofiçent ky i mobilizuar dhe verifikuar prej institucioneve përkatëse. Investimet e Bashkise së Gjirokastrës në infrastrukturën rrugore, kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të pastërtisë në qytet. Gjirokastriti e do pastërtinë dhe rregullin dhe edukata qytetare e mbështet më së miri edhe punën e institucioneve e ndërmarrjeve të bashkisë.

Çdo lagje e sokak ka grumbullues të mbeturinave dhe kosha mjaft funksionalë që krijojnë mundësinë e një pastërtie shembullore. Ne i kemi kushtuar rëndësi edhe edukimit ligjor të qytetarëve përmes promovimit të traditave, emisioneve në mediat lokale, sensibilizimit qytetar, njohjes së ligjshmërisë etj. Në Bashki ka një zyrë informacioni mjaft aktive e një numër telefoni të hapur ku qytetarët  komunikojnë për problemet e shqetësimet e tyre mjedisore. Shpesh janë vetë qytetarët ata që denoncojnë, janë ata që kujdesen më shumë për të ruajtur standardin e një qytetarie qindravjeçare. Bashkia Gjirokastër ka një marrëdhënie institucionale me ARM dhe Ministrinë e Mjedisit.

Kemi respektuar dhe respektojmë të gjithë përpjekjet e aktivitetin e tyre. Por në të vërtetë mungojnë investimet serioze të qeverisë për mjedisin. Problemet janë dy për qytetin tonë me krijimtari të lartë turistike, Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore në UNESCO. E para ndotja dhe mungesa e rehabilitimit të lumit Drino si një lumë mjaft atraktiv e me resurse dhe së dyti mungesa e financimit për një landfill që do të zgjidhte përfundimisht problemin e mbetjeve jo vetëm në qytetin e Gjirokastrës, por në krejt rajonin jugor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›