Diplomati amerikan: Ndihma e kërkuar nuk erdhi në Bengazi
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka kritikuar përgjigjen e autoriteteve amrikane të sigurisë gjatë sulmit vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë.
Zyrtari ka kritikuar edhe cilësimit që iu bë fillimisht sulmit nga administrata Obama si një protestë popullore, dhe jo akt terrorist.
Tre zyrtarë dëshmuan para Komisionit të Mbarëvajtes në Dhomën e Përfaqësuesve në kuadër të hetimeve që po zhvillon Kongresi lidhur me sulmin që la të vrarë katër amerikanë, ndër të cilët edhe ambasadorin Christopher Stevens.
Sulmi dhe vrasja e ambasadorit amerikan në Libi tronditi vendin dhe nxiti ngritjen e një procesi hetimor. Tetë muaj më pas, debatet dhe akuzat vazhdojnë.
Ish zëvendës shefi i misionit diplomatik amerikan në Tripoli, Gregory Hicks tha para ligjvënësve se ishte kundërshtuar kërkesa për të sjellë me rrugë ajrore forca shtesë sigurie gjatë sulmit në Bengazi.
“Nuk iu dha autorizimi për të udhëtuar. Forcat e sigurisë qëndruan në Tripoli me ne tha ai.
Hicks shtoi se ishte informuar se avionët në Itali nuk mund të arrinin në kohë, duke e lënë me një ndjesi shqetësuese. “Jemi vetëm. Duhet ta përballojmë situatën me burimet që kemi në Libi shtoi ai.
Kur Susan Rice, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, foli në televizionin kombëtar duke e cilësuar sulmin si protestë popullore, komentet e saj zgjuan zemërim. “Mbeta i shtangur. Dhe më erdhi turp shtoi më tej ai.
Disa ligjvënës republikanë e kanë akuzuar administratën Obama për jo kompetencë në përgjigjen ndaj sulmit të Bengazit dhe për përpjekje për të çorientuar amerikanët pas tij.
Demokratët nënvizojnë se analiza të shumta lidhur me incidentin treguan se ka pasur të meta në masat e sigurisë, por nuk u zbuluan shkelje të qëllimshme. Ligjvënësi Elijah Cummings foli për kërkesën e diplomatëve për mbështetje ajrore amerikane në Bengazi.
“Po të kisha qenë në vendin tuaj, do të kisha dashur dërgimin e trupave që më parë. Kjo është plotësisht e kuptueshme. Por shefi i shtabit të shtatmadhorisë tha se përforcimet nuk mund të dërgoheshin menjëherë.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se donin të jepnin një dëshmi të plotë të ngjarjeve në Bengazi. Hicks pohoi se eprorët e tij i kishin bërë presion të mos fliste me ligjvënësit për sulmin. Departamenti i Shtetit mohon të këtë bërë presion.
Kreu i Komisionit, republikani Darrell Issa, theksoi se familjet e të vrarëve në Bengazi presin përgjigje. Por demokratët thonë se duket se hetimet po nxiten nga politika. Sulmi në Bengazi ndodhi në kulm të fushatës së Presidentit Obama për tu rizgjedhur. Ky incident mund të rishfaqet në fushatën për zgjedhjet e 2016, nëse në të konkurron ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.