Diplomati rus: Ndihma amerikane për Ukrainën, përshpejton mundësinë e “përplasjes së drejtpërdrejtë ushtarake”

Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën, po përshpejton mundësinë e një “përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake” midis Rusisë dhe NATO-s. Deklarata u bë sot nga një diplomat rus.
“SHBA vazhdon të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, duke lehtësuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të luftëtarëve dhe këshilltarëve të saj në konflikt,” tha Konstantin Vorontsov, kreu i delegacionit rus në Komisionin e Kombeve të Bashkuara për Çarmatimin.
“Kjo jo vetëm që zgjat luftimet, por e afron situatën në një vijë të rrezikshme, të një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake midis Rusisë dhe NATO-s”,- shtoi ai.
Komentet e diplomatit vijnë pasi SHBA njoftoi një ndihmë shtesë prej 625 milionë dollarësh për Ukrainën. Në një deklaratë të bërë sot, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmendi forcat ukrainase se janë duke përdorur në mënyrë efektive mbështetjen e SHBA-së për të çuar përpara “kundër-sulmimin e tyre të suksesshëm për të rimarrë tokat e tyre të konfiskuara ilegalisht nga Rusia”. CNN
/rtsh.al/