Disa shifra pikante nga zgjedhjet e 23 qershorit
66 subjekte politike ishin pjesë e garës në zgjedhje parlamentare.
37 parti ishin pjesë e koalicionit të majtë, 25 te kampi i djathtë.
4 parti hynë vetëm në zgjedhje, ndërsa në Fier kandidoi i pavarur Dritan Prifti dhe në Vlorë Arben Malaj.
Ndër to vetëm 8 parti do kenë përfaqësim parlamentar (PS, LSI, PBDNJ, PKD, PD, PR, PDIU, PDK).
Në raport statistikor vetëm 12% e subjekteve garuese janë në parlamentin e ri.
Në Kuvendin paraardhës ishin 6 subjekte politike, ndërsa FRD u bë me 1 mandat pas shkëputjes së Oketës nga grupi i PD.
9 parti politike siguruan më shumë se 10 mijë vota, por jo të gjitha arritën të merrnin mandat pasi sistemi proporcional rajonal i ndëshkoi ato.
Pas zgjedhjeve, tek aleanca e majtë, 4 subjekte morën mbi 10 mijë vota, por megjithëse kishin një marrëveshje paraprake politike nuk arritën të merrnin një post ministri.
Dy kandidatët e pavarur Prifti dhe Malaj, morën së bashku gati 9.200 vota, aq sa morën 17 parti të vogla që garuan në 2 kampet majtas e djathtas.
Në të dy kampet pati përkatësisht nga 2 parti demokristiane, nga 1 parti e spektrit republikan, çamët ishin të përfaqësuar në të dyja aleancat.
Po ashtu minoriteti kishte 2 mundësi për të dhënë votën, në aleancën e majtë dhe të djathtë.
Por rekordin më negativ në këto zgjedhje duket se mbajnë në kampin e majtë Partia Toleranca e Re e Shqipërisë me vetëm 287 vota në gjithë vendin, shumë me pak sesa numri i firmave që nevojiten për tu regjistruar në Gjykatë, dhe Bashkimi Popullor i Pensionistëve tek e djathta me vetëm 406 vota./Vizion Plus