Disa vatra aktive në Lezhë dhe Mirditë, ndërhyrje intensive për të ndalur përhapjen e flakëve. Aktualisht s’ka rrezik për zonat e banuara
Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Qarkut Lezhë, ndërsa strukturat e emergjencave dhe shërbimet vendore janë angazhuar për monitorimin dhe vënien nën kontroll të tyre.
Në Bashkinë Lezhë, zjarri i ardhur nga fshati Vrrith i Pukës vijon të jetë aktiv në malin e Kashnjetit, në drejtim të fshatrave Kashnjet dhe Kalivaç. Vatra po monitorohet nga 3 forca të Shërbimit Pyjor dhe 4 punonjës të njësisë administrative. Terreni i vështirë nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Situatë më problematike paraqitet në Bashkinë Mirditë. Në fshatin Tenë, në Njësinë Administrative Rrëshen, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Operacioni për vënien nën kontroll ka nisur që në orën 06:30, me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura, dy mjeteve zjarrfikëse të FA-së me 9 efektivë, tre mjeteve zjarrfikëse të Bashkisë Mirditë me 11 punonjës, si dhe forcave të Shërbimit Pyjor dhe shërbimeve publike.
Në terren ndodhen gjithashtu 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 15 punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe 4 punonjës të njësisë administrative, duke e çuar angazhimin e forcave bashkiake në 38 persona.
Ndërkohë, në fshatin Perlat i Epërm, Njësia Administrative Kthellë, vijon zjarri i Lufajve. Vatra mbetet nën monitorim nga 4 punonjës të njësisë administrative.
Edhe në fshatin Shtuf, Njësia Administrative Kaçinar, zjarri vijon të jetë aktiv. Ndërhyrja do të vijojë në zonat ku terreni e mundëson, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në pjesën tjetër të qarkut, situata paraqitet e qetë. Nga Bashkia Kurbin nuk raportohen problematika.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, me fokus të veçantë në vatrat aktive të zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
/rtsh.al/