Disfata në zgjedhje, Berisha konferencë për shtyp nga selia e PD
Dhe pse u mendua se dalja e parë zyrtare pas humbjes së zgjedhjeve për liderin e së djathtës Sali Berisha do të ishte pikërisht mesdita e nesërme gjatë mbledhjes së qeverisë, e konfirmuar tashmë nga Kryeministria, kreu i PD duket se do të ballafaqohet me elektoratin blu mbrëmjen e sotme.
Burime të Ora News konfirmojnë se Berisha do të dalë në një konferencë për shtyp nga selia blu rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ku pritet të shpalosë qëndrimin e tij dhe PD për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.
Dhe pse ende zyrtare, e majta kryeson bindshëm në shkallë vendi, nga jugu në veri. Numërimi i votave po shkon drejt përfundimit, ndërkohë që kanë mbetur pa numëruar edhe 2 qarqe.
PS-ja kryeson në 11 nga 12 qarqet, respektivisht në Tiranë, Fier, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Berat, Dibër, Gjirokastër, Shkoder, Lezhë, ndërsa në Kukës, pas verifikimit të tabelave të rezultateve, u shpall fitues koalicioni i djathtë me 3 mandate të fituara kundrejt 1 të opozitës. Të dhënat e fundit të KQZ-së theksojnë se pjesëmarrja në votime në rang vendi është 53.75%. Në total janë numëruar 5425 nga 5508 që janë në total. Pritet të numërohen edhe 83 kuti.
Me kutitë e mbetura në Lezhë diskutohet PS dhe PD kurse në Durrës diskutohet PR dhe PD. Duke iu referuar rezultateve të deritanishme, opozita siguron deri në 84 mandate, ndërsa PD së bashku me aleatët e saj PDIU dhe PR shkon në 56 mandate. PD duket se ka humbur edhe bastionet e saj tradicionale, siç është Shkodra, ku e majta kryeson me 6 mandate, krahasur me 5 të PD. LSI merr 16 vende në Kuvend, PDIU 4, PR 4 dhe PBDNJ 1.