Dita Botërore e Postës – Çdo vit e më shumë shërbime, mes tyre pensionet në shtëpi

9 tetori shënon Ditën Botërore të Shërbimeve Postare.
Posta Shqiptare është pjesë e institucioneve më të vjetra të shërbimeve publike në vend. Në degën e saj në Shkodër, posta ofron një sërë shërbimesh, mes tyre edhe dërgimin në banesa të pensioneve për rreth 7 mijë pensionistë.
“Shërbimet postare që ofron Posta Shqiptare, dega Shkodër, janë: shërbimi postar universal; shërbimi i shpejtë, shërbimi ekspres i brendshëm si edhe i jashtëm. Gjithashtu ofrojmë edhe shërbimin e pensioneve në shtëpi, ku çdo pensionist që nuk ka mundësi të paraqitet fizikisht në sportel, mund t’i dërgohet pensioni në adresën e përcaktuar. Shërbimi më i kërkuar postar është pranimi i objekteve të porositura, që do të thotë objekte postare që mund të gjurmohen, ndërsa për pensionet në shtëpi kërkesa është gjithmonë e më tepër në rritje, duke shkuar deri në 7 mijë pensione në shtëpi mujore”, tha Denisa Dibra, shefe, Sektori i Shërbimeve dhe Marketingut.
Për herë të parë edhe Posta Shqiptare, dega Shkodër, bëhet pjesë e festimeve në kuadër të Ditës Botërore. Vit pas viti, fokusi i shërbimeve ka ndryshuar, thotë Dibra, ku tashmë përshtatja është me inovacionin dhe inteligjencën artificiale.
“Sot më shumë se kurrë ne jemi të përkushtuar që dërgesat mos të jenë thjesht fizike, por një zgjidhje, komunikime moderne të bazuara në teknologji dhe inovacion, duke çuar shërbimin tonë postar drejt standardeve europiane”, theksoi Dibra.
Qëllimi i Ditës Botërore të Postës është ndërgjegjësimi për rolin e sektorit postar në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve dhe kontributin e tij në zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/