Marrëveshja e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve-Dokumenti përfshin edhe kthimin e 20 pengjeve të gjallë

Një draft i marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve, i cili po shqyrtohet nga kabineti i sigurisë së Izraelit, përfshin kthimin e 20 pengjeve të gjallë dhe trupat e 28 të tjerëve.
Përfshirja e 28 pengjeve të vdekur nënkupton vdekjen e dy pengjeve për të cilët Izraeli kishte shprehur më parë “preokupim të rëndë” mbi fatin e tyre, por nuk i kishte shpallur zyrtarisht të vdekur, transmeton Channel 12.
Në maj, Izraeli kishte ngritur dyshime publike mbi jetën e tre pengjeve, duke iu referuar pengut izraelit Tamir Nimrodi, pengut nepalez Bipin Joshi dhe pengut tajlandez Pinta Nattapong. Trupi i Nattapong-ut u rikuperua nga Gaza në qershor.
Dje, familja e Joshi-t publikoi një video që e tregon atë pak pas rrëmbimit të tij më 7 tetor 2023, e cila mbetet shenja e fundit e njohur e jetës së tij.
Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Humburve dhe zyra e Gal Hirsch, përfaqësuesi i qeverisë izraelite për pengjet nuk komentuan raportin.
Sipas mediave britanike, Izraeli i ka dërguar Hamasit një listë me 20 pengje të gjallë që pret t’i shohë të liruar, dhe se Hamasi ka konfirmuar 20 emrat.
Po sipas burimeve të fundit, marrëveshja pritet të hyjë në fuqi brenda 24 orësh pas miratimit nga kabineti izraelit, me lirimin e pengjeve të gjallë të nisur brenda 72 orësh, ndërsa trupat e të vdekurve do të kthehen gradualisht.
Ky është hapi i parë i planit 20-pikësh të propozuar nga Trump për fundin e luftës në Gaza.
/rtsh.al/