Dita Botërore e Shëndetit/ OBSH kërkon forcimin e sistemit parësor shëndetësor

Dita Botërore e Shëndetit që përkon edhe 75- vjetorin e konstitutimit të OBSH e gjen botën më pak të sigurtë në menaxhimin e krizave shëndetësore. Përfaqësuesja e zyrës së OBSH për Shqipërinë Geraldinë McWeeney, në një deklaratë për mediat tha se pavarësisht kësaj, arritjet e së shkuarës duhet të shërbejnë si përgatitje për kërcënimet e së ardhmes.
“Në këtë 75-vjetor, bota është përsëri në mes krizash shëndetësore, ekonomike, energjike, ushqimore dhe klimatike. Këto kriza po krijojnë pasiguri midis shteteve, insitucioneve dhe individëve. Pas 75 viteve te fundit te OBSH-së mund te shohim shumë suksese në shëndetësi e në mirëqënie, shumë prej të cilave tashme i marrim si të mirëqena si psh: zhdukja e sëmundjes se variolës, ulja e rasteve me polio në 99%, krijimi i vaksinës së parë ndaj malaries etj“, tha ajo.
Lidhur me Shqipërinë Znj. McWeeney vlerësoi se reformat e nisura duhet të konsistojnë në forcimin e sistemit parësor shëndetësor ku mjeku i familjes është në qëndër.
“Evidencat tregojnë se sistemet shëndetësore, të fuqizuara nga qasja e sistemit shëndetësor parësor, janë mënyra më efektive dhe kosto-efektive për të sjellë shërbimet shëndetësore dhe mirëqënien më pranë njerëzve. Në linje me këtë Ministria e Shëndetësisë është ende në proces. Gjithashtu, investimi për një sistem shëndetësor të fortë është kritike për një shoqëri të begatë”, përfaqësuesja e zyrës së OBSH për Shqipërinë Geraldinë McWeeney,
Përfaqësuesja e OBSH për Shqipërinë theksoi se rritja e financimit publik për shëndetësinë dhe ulja e kostove shëndetësore të paguara nga xhepi shpëton jetë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh/