Dita Botërore e Shikimit, në fokus kujdesi për sytë dhe trajtimi i traumave okulare

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Në Ditën Botërore të Shikimit, mjekët okulistë të Spitalit të Traumës kujtojnë rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të syve dhe kontrollet e rregullta okulistike.
Spitali Universitar i Traumës vë në vëmendje rolin e Shërbimit të Okulistikës në diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve me dëmtime dhe trauma të syrit.
Në një postim në rrjetet sociale, Spitali Universitar i Traumës thekson se shërbimi, i integruar në një strukturë të specializuar për trajtimin e traumave, ofron kujdes të specializuar për pacientët me trauma okulare dhe trajtim në kohë.
Në këtë ditë, mjekët okulistë të Shërbimit të Okulistikës, dr. Elvisi, dr. Bledari, dr. Leodita dhe dr. Katerina, sjellin në vëmendje rëndësinë e shërbimit të specializuar për pacientët me dëmtime të syrit.
Shërbimi i Okulistikës në Spitalin Universitar të Traumës përbën një hallkë të rëndësishme në trajtimin e traumave okulare, duke ofruar diagnostikim, trajtim dhe ndjekje të specializuar për pacientët.
/e.i/a.f/r.e/