Dita Botërore e Talasemisë, Koçiu: Të dhurosh gjak do të thotë të japësh jetë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Në çdo 8 maj, kudo në botën e qytetëruar, përkujtohet Dita Botërore e Talasemisë.
Me këtë rast, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se “talasemia nuk është vetëm një sfidë shëndetësore, por një udhëtim i përditshëm me kurajë, forcë dhe shpresë”.
“Prandaj, është detyra jonë të sigurojmë mbështetje të vazhdueshme, trajtim dinjitoz dhe kushte më të mira për çdo pacient”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Koçiu përsëriti thirrjen që në këtë ditë, të kujtohet rëndësia jetike e dhurimit të gjakut, si një akt i thjeshtë që shpëton jetë dhe u jep forcë atyre që e kanë më shumë nevojë.
“Të dhurosh gjak, do të thotë të japësh jetë”, thotë Koçiu në fund të mesazhit.
Ndërsa, nga ana e saj, mjekja Manika Kreka, pranë Shërbimit të Onkohematologjisë në Pediatri, shprehet se sot në të gjithë botën bëhet thirrje për sensibilizim dhe ndërgjegjësim për ndihmë ndaj pacientëve të vegjël që lindin me një anemi, e cila është kronike dhe i shoqëron gjatë gjithë jetës.
“Kjo thirrje duhet të bëhet çdo ditë, por sidomos në këtë ditë ndërkombëtare. Ne e ritheksojmë që individët e shëndoshë të shoqërisë sonë, të rinjtë mbi 18 vjeç, ata pa sëmundje, studentët e mjekësisë dhe shkencave të tjera të shëndetit duhet ta ndjejnë obligim dhurimin vullnetar të gjakut dy herë në vit, si për djemtë dhe për vajzat. Sidomos djemtë u bëj thirrje çdo ditë që të dhurojnë gjak sepse gjaku i tyre është cilësisht i shëndetshëm dhe është i nevojshëm për këta individë që jetojnë falë gjakut të dhuruar”, pohoi Kreka. /j.p/