E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e Talasemisë, MSHMS: Mbi 13 mijë dhurues gjaku në katër muaj

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Në Ditën Botërore të Talasemisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale apeloi për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe mbështetjes për personat që jetojnë me talasemi, ndërsa vlerësoi kontributin jetik të dhuruesve vullnetarë të gjakut në vend.

Nën moton “Jo më të fshehur – Zbulimi i të padiagnostikuarve. Mbështetje për ata që nuk shihen”, kjo ditë shërben si një thirrje për më shumë kujdes, informim dhe solidaritet ndaj pacientëve me talasemi, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për transfuzione gjaku dhe ndjekje të specializuar mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shprehu mirënjohje të veçantë për çdo qytetar që kontribuon përmes dhurimit të gjakut, duke theksuar se ky akt human përfaqëson shpresë dhe mbështetje konkrete për jetën e pacientëve me talasemi dhe sëmundje të tjera të gjakut.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë regjistruar 13 721 dhurues gjaku në rang vendi, një shifër që pasqyron rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe rëndësinë e solidaritetit në garantimin e rezervave të sigurta të gjakut për sistemin shëndetësor.

Autoritetet shëndetësore nënvizojnë se diagnostikimi i hershëm dhe depistimi mbeten elementë kyç në parandalimin dhe menaxhimin e talasemisë, ndërsa fushatat sensibilizuese synojnë të identifikojnë rastet e padiagnostikuara dhe të ofrojnë mbështetje më të plotë për pacientët dhe familjet e tyre.

Dita Botërore e Talasemisë shënohet çdo vit më 8 maj, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit global për këtë sëmundje gjenetike dhe promovimin e politikave shëndetësore që përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›