Dita e 15 e protestës studentore, studentja e Mjekësisë thirrje për bashkim: Kauza jonë na prek të gjithëve, të bashkohen edhe fakultetet e tjera
Në ditën e 15-të të protestës studentore në Tiranë, studentët e Mjekësisë u bëjnë thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen në kërkesat për kushte më të mira studimi dhe përmirësimin e infrastrukturës universitare.

Një studente e Mjekësisë, në një prononcim për mediat, theksoi se kjo protestë nuk është vetëm çështje e studentëve të këtij fakulteti, por një kauzë që prek të gjithë shoqërinë, ndaj kërkoi mbështetje dhe pjesëmarrje sa më të gjerë.
Ajo u bëri thirrje të gjithë studentëve që të bashkohen me protestën, duke nënvizuar se vetëm përmes një reagimi më të gjerë mund t’u jepet më shumë zë kërkesave të tyre.
“Ne protestojmë për kushte më të mira, për godina më të mira, për salla më të mira. Shëndetësia në Shqipëri ka probleme masive. Jemi këtu në protestë që zëri ynë të dëgjohet. Nuk janë plotësuar të gjitha kushtet, kemi rënë në vesh të shurdhër. Jemi mbledhur këtu me thirrje për të gjithë studentët, pasi nuk është vetëm kauza jonë. Ne kemi dalë këtu për një çështje që na prek të gjithëve, ndaj duam përkrahjen e të gjithëve. Duhet të jemi sa më shumë. Bëjmë thirrje edhe për fakultetet e tjera që të na bashkohen.
Kam qenë me një bindje që do të punoj në vendin tim, do të kontribuoj në vendin tim. Mjekësia është një mision, ke shumë për të mësuar nga ky profesion. Por me gjithë këto kufizime dhe kushtet e pakta, ndaj jam këtu për kushte më të mira, që të mos largohem pas 6 vitesh. Ju falënderojmë si media, që na jeni gjendur pranë.”, tha ajo.