Dita e 5-të e protestave, Euronews Italia: Kërkohet dorëheqja e Ramës, përplasje e dhunshme mes policisë dhe studentëve
Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e pestë, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Në qendër të kërkesave është dorëheqja e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në një raportim të publikuar sot (më 17 tetor), Euronews Italia shkruan se përplasjet nisën të shtunën në Bulevardin e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku u mblodhën qindra protestues, disa prej tyre me fytyra të mbuluara. Më pas, situata u përhap në zona të tjera të kryeqytetit.
Sipas medias italiane, protestuesit hodhën gurë drejt forcave të policisë, dogjën kosha mbeturinash dhe ngritën barrikada. Fillimisht, efektivët u kërkuan përmes megafonëve protestuesve të hiqnin dorë nga dhuna, por më pas përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Paralelisht, protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Lezhë dhe Durrës, tensionet u përshkruan si të larta, ndërsa policia kreu dhjetëra arrestime, sipas Euronews Italia.
Studentët protestojnë kundër kushteve në universitete dhe kostos së lartë
Protestat kanë nisur të martën, të nxitura nga pakënaqësitë për situatën në universitete dhe tarifat e larta. Në një akt simbolik, protestuesit i vunë flakën një valixheje dhe e hodhën në oborrin e Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar atë që e cilësojnë si përpjekje të qeverisë për t’i detyruar të rinjtë të largohen nga vendi.
Euronews Italia raporton gjithashtu se të premten u bë një thirrje për shqiptarët e diasporës që t’u bashkohen protestave. Krahas studentëve, në shesh kanë dalë edhe protestues të lëvizjes “Flamingo”, e cila është aktivizuar që prej muajit qershor.
Rama nuk tërhiqet, pavarësisht presionit
Pavarësisht protestave dhe presionit në rritje, kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën në mëngjes se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Sipas Euronews Italia, Rama theksoi se përgjegjësia e tij në këtë moment është të mbrojë qytetarët, të garantojë drejtësinë dhe të vijojë mandatin e marrë nga shumica qeverisëse. Ai përsëriti gjithashtu objektivin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Megjithatë, kritikat ndaj kryeministrit kanë ardhur edhe nga brenda kampit të tij politik.
Spiropali i shkruan Ramës: Kriza kërkon përgjegjësi politike dhe vendime konkrete
Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, i ka dërguar një letër personale kryeministrit Edi Rama, ku shpreh kritika për mënyrën se si po trajtohet kriza.
Në letrën e saj, Spiropali thekson se situata nuk mund të zgjidhet vetëm përmes deklaratave nga zyrat apo justifikimeve politike, por kërkon dëgjimin e menjëhershëm të qytetarëve, pranimin e gabimeve dhe marrjen e përgjegjësive.
“Kriza nuk zgjidhet me deklarata nga zyrat, duke u distancuar nga njerëzit apo me justifikime politike. Ajo kërkon dëgjim të menjëhershëm, njohjen e asaj që është e gabuar, marrjen e përgjegjësisë politike dhe vendime efektive”, citohet të ketë shkruar Spiropali.