E Enjte, 5 Nëntor 2026

Dita e Dhurimit të Gjakut, Koçiu: 37 096 vullnetarë në 5 vitet e fundit

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “në 5 vitet e fundit 37 096 qytetarë kanë dhuruar gjak duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kishin nevojë për këtë produkt jetik i cili nuk blihet, por vetëm dhurohet”.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu falënderoi mijëra dhurues që me solidaritetin e tyre kanë shpëtuar jetë dhe ndihmuar pacientët talasemikë, të cilët duhet të marrin gjak çdo 2 javë për gjatë gjithë jetës së tyre.

Koçiu i bëri apel të gjithë qytetarëve për dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Nevojat për gjak në stinën e verës rriten, për këtë arsye apeli i të gjitha institucioneve shëndetësore është për më shumë dhurime vullnetarë në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për gjak.

14 Qershori njihet si Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Kjo ditë vlen për ndërgjegjësimin ndaj nevojave për gjak të sigurtë si dhe për të falënderuar dhuruesit vullnetarë të gjakut.

Shërbimi i dhënies së gjakut, u jep pacientëve akses në gjak të sigurtë dhe produkte gjaku në sasi të mjaftueshme dhe është një komponent kyç i një sistemi shëndetësor efektiv. Tema globale e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut ndryshon çdo vit në shenjë vlerësimi ndaj individëve vetëmohues që dhurojnë gjakun e tyre për njerëz të panjohur për ta.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›