Dita e Evropës, presidentja Osmani kërkon heqjen e masave nga BE-ja ndaj Kosovës

Në ditën kur festohet 75 vjetori i themelimit të bashkimit të shteteve evropiane, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat i ka quajtur të padrejta. Ajo ka kërkuar trajtim me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë.
“Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
E para e vendit tha se për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse besojnë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat po përballet vendi gjatë rrugëtimit.
“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”, shkroi shefja e shtetit.
Sipas Osmanit, që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste.
/rtsh.al/