Dita e Fitores, Putin: E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë

Për të nxitur qytetarët e tij që të bashkohen në ofensivën kundër Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin përdori kujtimet e fitores së ish-Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Në paradën për 80-vjetorin e mposhtjes së Gjermanisë naziste, që u mbajt në Sheshin e Kuq dhe ku morën pjesë më shumë se 20 udhëheqës nga vende të tjera, përfshi presidentin kinez Xi Jinping, atë serb Aleksandar Vuçiq, si dhe udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, Putin u shpreh se i gjithë vendi i tij mbështet ata që marrin pjesë në “operacionin e veçantë ushtarak”, termi që përdoret rëndom për luftën në Ukrainë.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e trupave tona që gjithmonë na kanë sjellë fitore. Rusia ka qenë dhe do të mbetet një barrierë e pa shkatërrueshme kundër nazizmit, rusofobisë dhe antisemitizmit”, tha Putin.
Qëkur nisi lufta në Ukrainë, një nga qëllimet e së cilës, sipas Putinit, ishte edhe “denazifikimi” i vendit fqinj, pasi Kievit i referohet si diktaturë neonaziste presidenti rus ka hequr vazhdimisht paralele mes ushtrisë ruse të kohëve të sotme dhe ushtarëve sovjetikë që luftuan Gjermaninë naziste.
/rtsh.al/