Dita e Verës, Rama: Ju uroj një pranverë të bukur. Begaj: Mbarësi, begati dhe gëzim

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Verës dhe të gjithë qytetarët për një pranverë sa më të bukur.
“MIRËMËNGJES dhe me ditën që paralajmëron më shumë diell e mbarësi, ju uroj një pranverë të bukur”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Një urim për 14 Marsin e bëri edhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Kjo e fundit uroi për pasjen e një stine sa më të bukur, plot shëndet, jetë e zërime për të gjithë qytetarët.
“Dita e Verës, fillimi i stinës së gëzueshme plot diell, dritë e jetë, le të na ndriçojë e inspirojë për të dashur e për t’u gëzuar më shumë me familjet tona, të afërmit, miqtë, njerëzit që na rrethojnë.
T’i gëzohemi e t’i kushtohemi natyrës, me urimin e shpresën që lulëzimi i saj të përshkojë edhe jetët tona.
Paçim një stinë të bukur, plot jetë, shëndet e gëzime për të gjithë”, shkroi Nikolla në Facebook.
Edhe Presidenti Bajram Begaj, përcolli një mesazh urimi me rastin e “Ditës së Verës”. Presidenti Begaj ndau me shqiptarët elementet tradicionale të kësaj feste, e cila kremtohet në të gjithë vendin për të lajmëruar ardhjen e pranverës.
Kreu i Shtetit risolli në vëmendje mënyrën se si kjo festë pritej në vendlindjen e Tij në të gdhirë të datës së 14 Marsit, kur fëmijët lajmëronin ardhjen e stinës së pranverës.
“Në fëmijërinë time, 14 Marsi niste me të vegjlit që shpërndanin në çdo shtëpi një plis me grurë të sapombirë, degë ulliri dhe degë lule kumbulle. Kjo bëhej për të uruar një pranverë të begatë, të paqtë dhe të gëzuar.
Mbarësi, begati dhe gëzim sjelltë kjo festë në çdo shtëpi shqiptare”, shkruan Presidenti i Republikës në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku shpërndau edhe një video me simbolin e “Ditës e Verës” së fëmijërisë së tij.
/rtsh.al/