Dita e gjashtë e protestës- Protestuesit zhvendosen te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, hedhin mjete piroteknike dhe gurë, Policia përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Studentë dhe qytetarë protestojnë prej rreth 4 orësh në Tiranë, në ditën e gjashtë të tubimit të tyre. Aktualisht, protestuesit ndodhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata është tensionuar. Ata kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë për të zmbrapsur turmën.
Protesta nisi rreth orës 12:30 para Ministrisë së Arsimit, fillimisht në mënyrë të qetë, por më pas situata u përshkallëzua. Protestuesit morën gurë nga trotuaret dhe i hodhën në drejtim të forcave të policisë, ndërsa gjatë tubimit u hodhën edhe mjete piroteknike. Për të përballuar situatën, Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë.
Gjatë incidenteve mbeti e lënduar edhe një gazetare, e cila u transportua drejt Spitalit të Traumës. Sipas informacionit të bërë publik, ajo ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën.
Pas tensioneve para Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën marshimin nëpër kryeqytet, duke u ndalur fillimisht pranë Bankës së Shqipërisë. Edhe në këtë zonë u regjistruan momente tensioni, ndërsa Policia përdori sërish gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.
Marshimi vijoi më pas drejt selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës. Policia krijoi një kordon sigurie përpara selisë, duke mos lejuar përparimin e tyre.
Pas kësaj, protestuesit u drejtuan përpara Kryeministrisë, ku tensionet vijuan me hedhjen e mjeteve piroteknike në drejtim të efektivëve dhe përdorimin e gazit lotsjellës e ujit nga ana e Policisë.
Prej 6 ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë, shoqëruara me akte dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit. Protesta e e së premtes (17 tetor) u shoqërua me orë të tëra tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata u përshkallëzuar nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.
Protestuesit hodhën molotovë drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit. Zjarre u raportuan gjithashtu në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën pranë saj.
/rtsh.al/