Dita e librit
Ndryshe prej viteve të kaluara, kur Dita Botërore e Librit kalonte pa u vënë re, sivjet kjo ditë do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta që do t’i kushtohen librit. Megjithatë, këto aktivitete nuk organizohen nga ndonjëri prej asociacioneve të shkrimtarëve, të cilëve si gjithnjë datat e tilla u ikin pa i vënë re.
Libraria Dit’ e Nat’ është përkujdesur që në Ditën Botërore të Librit, e cila shënohet sot, më 23 prill, ta sjellë në Prishtinë shkrimtarin e njohur nga Shqipëria Ben Blushi, i cili, në ora 12:00, do ta mbajë një ligjëratë mbi letërsinë. Po ashtu, në ambientet e kësaj librarie, në ora 19:00, do të mbahet një mbrëmje letrare nga ‘Hutini Books’.
Me një aktivitet, i cili do t’u kushtohet më shumë personave me aftësi të kufizuara, edhe Biblioteka Kombëtare do ta shënojë Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Në këtë aktivitet, i cili do të fillojë në ora 11:00, do të lexohen fragmente nga vepra të autorëve më të njohur shqiptarë dhe të huaj, si dhe do të dhurohen libra për lexues të moshave dhe profileve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara.
Për ta shënuar këtë ditë, Ministria e Kulturës ka përzgjedhur hotelin Emerald, ku do të lansohet edhe zyrtarisht fushata informuese dhe vetdijësuese për të drejtën e autorit në Kosovë.
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari–Lila, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe krijues të fushës së muzikës, letërsisë dhe fushave tjera.
Aktivitetet më të rëndësishme për këtë ditë do të mbahen në sheshin Nëna Terezë, ku gjatë tërë ditës së hënë do të ekspozohen librat e shtëpive botuese nga Kosova. Për këtë aktivitet është kujdesur Qendra për Zhvillimin e Arteve – Artpolis, me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Europian dhe Ministrinë e Kulturës.
Aktivitetet në sheshin Nëna Terezë do të fillojnë që prej orës 11:00, ku do të mbahet një minipanair me shtëpitë botuese kosovare.
Në ora 12:00, në kinemanë ABC do të shfaqet filmi ‘Lepuri me pesë këmbë’, ndërsa prej orës 12:00 deri në ora 16:00, shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Kismete Hyseni do të lexojnë poezi për fëmijë. Po ashtu, një ngjarje me rëndësi do të jetë edhe ekspozita fotografike e Sylvie Roche, e cila si temë do të ketë librin.
Kinemaja ABC do t’i hapë prapë dyert, pasi që në ora 17:00 do të shfaqet filmi ‘Kur pranvera vonohet’.
Prej orës 19:00 deri në ora 20:00 do të jetë një performancë teatrore për fëmijë, me motive nga librat për fëmijë si dhe do të mbahet ceremonia e dhënies së çmimeve për pesë lexuesit më të mirë në Bibliotekën Ndërkomunale ‘Hivzi Sylejmani’.
Prej orës 20:00 deri në orën 21:00 do të mbahet mbrëmja e poezisë, ku aktorët dhe muzikantët do të interpretojnë poezi të poetëve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ndërsa prapë në Kinemanë ABC, në ora 20:00, do të shfaqet filmi ‘Proka’.
23 prilli është një datë simbolike për letërsinë botërore, pasi në këtë datë në vitin 1616, vdiqën shkrimtarët Cervantes, Shakespeare dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K. Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonisë, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.
23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor, etj.
Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor njerëzor.