De Niro në Shqipëri

Shumë personazhe të njohur të botës së kinemasë janë kontaktuar prej QKK-së për të “ecur” mbi tapetin e kuq të Festivalit shqiptar. Qendra e Kinematografisë tashmë është duke negociuar për të sjellë në Shqipëri, në muajin tetor, kur dhe është programuar të mbahet edicioni i 13-të i këtij festivali, disa prej figurave të shquara të kinemasë amerikane dhe europiane. Mund të jetë Robert de Niro, siç dhe është premtuar pak kohë më parë si i ftuari VIP i këtij festivali, sepse me aktorin hollivudian kanë nisur negociatat dhe Minarolli shpreson shumë që t’ia dalë, por gjithsesi në fund të fundit do të sjellin pak aromë hollivudi aktoret shqiptare Eliza Dushku dhe Masiela Lushaj.
Po bashkëpunohet me Ambasadën Franceze për të sjellë në Shqipëri, me rastin e festivalit, aktorin francez Jean-Paul Belmondo, ndërsa më shumë shpresa kryetari i QKK-së, Artan Minarolli, ka nga fqinjët italianë, që kanë premtuar se, në mos Roberto Benigni, Raul Bovën do ta sjellin të parakalojë në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit Shqiptar. “Po përpiqemi të bëjmë një festival model, ashtu siç organizohet në Europë dhe kudo, me shumë të ftuar. Kemi disa nga Amerika, Italia dhe Franca. Por në fund do të konfirmojmë zyrtarisht se cilët do të jenë të ftuarit VIP, sepse deri tani jemi në fazën e negociatave” thotë kryetari i QKK-së, Artan Minarolli për Mapo. Por ardhja e të ftuarve ka nga pas dhe faturën ekonomike që duhet paguar për imazhin e tyre. Dhe për këtë QKK-së do i duhet të sigurojë nga shteti por dhe nga biznesi një shumë prej 18 milionë lekësh (të reja).
Pas imazhit ndërkombëtar “fshihet” promovimi që do t’i bëhet filmit shqiptar. Edicioni i 13-të do të ketë në fokus filmin shqiptar, të cilit do t’i kushtohet një sesion i veçantë. Nuk do të ketë seleksionime për filmin shqiptar, pasi pjesë e këtij festivali do të jenë ata filma që janë prodhuar nga QKK-ja. E filmat artistikë të QKK-së në këto 6 vjet mungesë nuk e kalojnë dot numrin 16, që do të prezantohen të gjithë në sesionin e filmit shqiptar. Ndërkohë është shpallur konkursi nga QKK-ja për filmin dokumentar dhe atë me metrazh të shkurtër, që janë mbështetur nga QKK-ja.