E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e rrënimeve

Inspeksioni i Komunës së Prishtinës nisi të mërkurën rrënimet për lirimin e hapësirave publike. Dita e parë e aksionit filloi nga sheshi “Nena Terezë”. Gjatë aksionit, policia arrestoi pesë persona. Nga Lirita Halili më 02 qershor 2011 në ora 07:36

Të mërkurën, qendra e kryeqytetit u gjend në kaos. Përveç zhurmës së fëmijëve që kishin dalë të festojnë ditën e tyre, aty dëgjoheshin edhe zhurmat e eskavatorëve dhe çekiçëve. Komuna e Prishtinës kishte zgjedhur pikërisht 1 qershorin, që të nisë aksionin për lirimin e hapësirës publike.

Operacioni i udhëhequr nga Muhamet Gashi, u.d drejtor i Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, nisi nga sheshi “Nëna Tereze”, përkatësisht mbrapa objektit të Drejtorisë së KEK-ut, në afërsi të libërshitësve.

Nuk u la asnjë vend pa u pastruar. Mbrapa banesave që ndodhet në këtë bulevard, u largua gjithçka. Të gjitha anekset, shtojcat, muret, rrethojat, grilat, agregatët, garazhet, tarracat, reklamat, bankomatët, madje nuk u lanë pa u prekur edhe qoshqet.

Të gjitha këto të vendosura në hapësirat që i përkasin Komunës, por që janë ndërtuar pa lejen e organit përkatës të saj.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, njëherit edhe u.d drejtor i Inspekcionit, i cili realizoi këtë operacion, thotë se lirimi i hapësirave publike, i cili nisi të mërkurën nga qendra, nuk do të përfundojë aty. “Të mërkurën, kemi filluar aksionin e lirimit të hapësirave mes bulevardit dhe rrugës ‘Luan Haradinaj’ dhe kemi vazhduar në një rrugë të lagjes ‘Bregu i Diellit’”, ka thënë Gashi për Express.

Ai thotë se Komuna është detyruar ta nisë këtë aksion, pas ankesave të disa qytetarëve. “Kjo është bërë duke u mbështetur në ankesat e qytetarëve që çdo ditë i adresojnë Komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave të qytetarëve”, u shpreh Gashi. Përveç kësaj, Gashi thotë se arsye tjetër e këtij operacioni është edhe degradimi i qytetit të Prishtinës.

E, sipas u.d të drejtorit të inspektorëve, tash e tutje ata që uzurpojnë hapësirën publike, nuk do të shpëtojnë vetëm me një rrënim. Muhamet Gashi thotë se këta investitorë do të paraqiten në gjykatë. “Tash e tutje, për investitorët të cilët kanë uzurpuar hapësirën publike, do t’u jepet një fletëparaqitje në gjykatat përkatëse. E, pastaj, ata sipas ligjit të ndërtimit, janë të obliguar t’i mbulojnë shpenzimet”, u shpreh Gashi, i cili duke shfrytëzuar postin në të cilin është emëruar këta muaj, premtoi se përveç nga bërlloku, ai do ta pastrojë Prishtinën edhe nga problemet e uzurpimeve.

“Ky aksion do të vazhdojë për katër muaj me radhë, derisa të pastrohet e gjithë Prishtina nga uzurpatorët e hapësirës publike”, tha i bindur Gashi, sipas të cilit, operacioni nuk është një fushatë mediale. Sipas tij, ky aksion është kryekëput një operacion për lirimin e hapësirave publike.

Megjithatë, ky aksion nuk është se shkoi shumë në rregull. Inspektorëve iu desh edhe asistenca e policisë, e cila arrestoi 5 persona. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se arrestimi i këtyre personave është bërë pasi të njëjtët kanë penguar zyrtarët komunalë gjatë kryerjes së detyrës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›