E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dita kundër dhunës ndaj grave e vajzave, Ambasada e SHBA: T’i japim fund stigmës për një botë pa dhunë

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Në ditën botërore kundër dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në Shqipëri ka nisur një fushatë 16-ditore Aktivizimi kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë thirrje që njerëzit të bashkohen për t’i dhënë fund stigmës, ndërsa gratë dhe vajzat meritojnë siguri, respekt dhe barazi.

“Sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave dhe fillimi i fushatës 16-ditore të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Le të bashkohemi për t’i dhënë fund stigmës, për të përforcuar zërat dhe për të ndërmarrë veprime për një botë pa dhunë. Çdo vajzë dhe grua meriton siguri, respekt dhe barazi. Së bashku, ne mund të: Dëgjojmë të mbijetuarat; Sfidojmë paragjykimet gjinore; Ngremë zërin për ndryshim”, thuhet në postim.

Çdo 25 nëntor, zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përmbyllet më 10 dhjetor në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Gjatë kësaj fushate, thirrjet për veprime globale që rrisin ndërgjegjësimin për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave, janë në fokus. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shkeljet më të përhapura, të vazhdueshme dhe shkatërruese të të drejtave të njeriut në mbarëbotën. Pabarazia gjinore vazhdon në mbarë botën.

Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave do të kërkojë përpjekje më të fuqishme, duke përfshirë kuadrin ligjor, për të luftuar diskriminimin me bazë gjinore, që shpesh vjen si rezultati qëndrimeve patriarkale dhe normave shoqërore. Vlerësimet globale të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se rreth 1 në 3 (35%) gra në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose nga partneri jo intim, gjatë jetës së tyre. Globalisht, deri në 38% e vrasjeve të grave kryhen nga një partner intim mashkull.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›