E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ditë sakrifice dhe krenarie”- Kryeministri Rama vlerëson punën e ekipeve të emergjencave, Vengu njofton blerjen e dy avionëve zjarrfikës

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, e cilësoi ditën e sotme si “ditë sakrifice dhe krenarie” për të gjitha strukturat shtetërore që po punojnë pa ndërprerje për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin. Ai bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë trajtuar 34 vatra aktive, ndërsa janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe vullnetarë.

Sipas Ramës, në operacione po përdoren pesë helikopterë dhe një avion zjarrfikës Canadair, i cili është sjellë nga “miqtë e shtrenjtë italianë”. Vëmendje e veçantë po i kushtohet vatrës në Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë.

Investime për forcimin e kapaciteteve, blerja e avionëve dhe trajnimi i pilotëve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një prononcim nga Delvina, njoftoi se qeveria shqiptare ka blerë dy avionë të dedikuar për menaxhimin e zjarreve. Ai shpjegoi se procesi i prodhimit të avionëve merr kohë, por theksoi se po punohet për shpejtimin e procedurave.

Vengu theksoi si sfidë kryesore mungesën e pilotëve, duke qartësuar se Shqipëria nuk ka pasur pilotë avionësh që nga viti 2007.

Për të adresuar këtë problem, është hapur një shkollë aviacioni në Vlorë, e cila pritet të fillojë të operojë në qershor 2026.

Ministri shtoi se qeveria po investon edhe në ngritjen e katër qendrave rajonale të Mbrojtjes Civile, të cilat do të shërbejnë si baza për dislokimin dhe furnizimin e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore. Këto masa synojnë të forcojnë kapacitetet e vendit për të përballuar krizat e ardhshme.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Kronika

    Të gjitha ›