Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, gati të rivendosin sanksionet ndaj Iranit

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë paralajmëruar se janë të gatshme të rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike për programin bërthamor të vendit deri në fund të muajit. Kjo u bë e ditur përmes një letre të përbashkët drejtuar Kombeve të Bashkuara.
Ministrat e Jashtëm të tre vendeve – Johann Wadephul i Gjermanisë, Jean-Noël Barrot i Francës dhe David Lammy i Britanisë së Madhe – deklaruan se kanë ofruar një zgjatje të afatit, por nëse Irani nuk e shfrytëzon këtë mundësi, ata do të aktivizojnë mekanizmin që lejon kthimin e sanksioneve.
Megjithatë, ata theksuan se mbeten “plotësisht të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike” dhe do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një rrugëzgjidhje të negociuar. Kjo lëvizje tregon një qasje të unifikuar evropiane për të ushtruar presion mbi Iranin, duke i dhënë një shans të fundit diplomacisë para se të ndërmerren masa më të ashpra.
/rtsh.al/