E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditëlindja e Bregut, Berisha thumbon ministrat

Moshën e re Majlinda Bregut ia zbuloi dje përmes një pakujdesie të vogël Kryeministri Sali Berisha, duke i uruar 36-vjetorin. Por ky moment shërbeu për Kryeministrin Berisha edhe si thumbim për burrat e qeverisë. Rastësisht në të njëjtën datë dhe ditë, me Bregun, kishte ditëlindjen edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjë për të cilën u kujtua ministri Olldashi. Në këtë rast, Berisha u solli ndërmend meshkujve të qeverisë një shprehje të Latinit: Ditëlindje pa konsekuencë. Batuta nisi që në fillim të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, ku Berisha e nisi me një urim të veçantë për znj. Bregu, teksa i uroi ditëlindjen. Madje, ai tha se kishte hequr dorë nga tufa me lule, teksa i ishin kujtuar vargjet e të madhit Shekspir: Lulja i thotë lamtumirë lules. Këtë e shpjegoi në këtë mënyrë: Kisha përgatitur një buqetë me lule për ty Majlinda, por teksa po vija për në sallën e mbledhjes, ia lashë oficerin, pasi mu kujtuan vargjet e Shekspirit: Lulja i thotë lamtumirë lules. Por në momentin e urimit për ministren Bregu, ndërhyri ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi: Sot ka ditëlindjen edhe ministri Petrit Vasili. Me të qeshur Kryeministri iu kundërpërgjigj Olldashit: Nuk është njësoj si ditëlindja e Majlinda Bregut, pasi Latini flet për Ditëlindje pa konsekuencë, kështu janë ditëlindjet e ministrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›