E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, LSI: PS, pa mbështetje ndërkombëtare

LSI-ja, përmes sekretarit të përgjithshëm të saj, Luan Rama, evidentoi dje faktin se greva e Partisë Socialiste nuk ka marrë asnjë mbështetje nga faktorët ndërkombëtarë. Sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe prej 19 ditësh të grevës së urisë, nuk ka asnjë institucion ndërkombëtar, asnjë individ që përfaqëson institucionet ndërkombëtare, që të jetë shprehur direkt apo indirekt në mbështetje të grevës së urisë. Për zyrtarin e LSI-së, ky është një fakt i rëndësishëm për të kuptuar non sensin e grevës. Rama ka bërë thirrje edhe një herë për dialog mes palëve, duke theksuar se nuk është koha për greva urie. Mungesa e reagimit të ndërkombëtarëve, sipas Ramës, është dhe një mesazh i drejtpërdrejtë jo vetëm për lidershipin e PS-së, por për të gjitha ata që e mbështesin dhe e financojnë grevën e urisë dhe protestën e PS-së, për të kuptuar që nuk ka mbështetje tek ndërkombëtarët për praktikën e grevës së urisë, sepse Shqipëria e 2010-s nuk mund të jetë Shqipëria e grevave të urisë. Z. Rama bëri të qartë se zgjidhja politike nuk mund të vijë prej rrugës së imponimit dhe as prej kërcënimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›