Ditëlindja e Ramës, urime dhe buqeta me lule për 48-vjetor
Ky është Edi Rama 39 vjet më parë. Në një kohë kur sigurisht nuk kishte menduar se sot në moshën 48 vjeçare të festonte ditëlindjen e tij si një prej politikanëve më të rëndësishëm të vendit.
Ditëlindja e 48-të nuk i ngjasonte të tjerave, pasi një lumë mesazhesh urimi kanë mbërritur në telefonin e Kryesocialistit, por nuk kanë munguar as kartolinat tradicionale në selinë e PS-së.
Vetë Edi Rama ka vendosur të mos i lërë mënjanë impenjimet e tij politike dhe është shfaqur në zyrë herët në mëngjes, por si rrallë herë në selinë e PS-së kishte aromë feste.
Buqetat me lule janë dërguar herët në mëngjes, nga miq, kolegë por edhe simaptizantë të thjeshtë, të cilët nuk kanë nguruar as të presin për një kohë të gjatë në ambjentet e kësaj force politike për ti dhënë nga afër urimet. Prej kohës, Kryesocialisti e ka kthyer në traditë përcjelljen e urimit për ditëlindjen e deputetëve socialistë pas mbledhjes së grupit parlamentar.
Sot ishte koha që jo vetëm deputetët, por i gjithë stafi i PS-së ti rezervonin një surprizë kryetarit. Salla e mbledhjeve të grupit ka gumëzhuar nga trokitja e gotave të shampanjës, ku Edi Ramës i urohej edhe 100 të tjera. Në festë nuk ka munguar as dollia, moment në të cilin Edi Rama nuk ka kursyer as një batutë.
Duke i uruar ditëlindjen edhe asistentes së tij Teutës, Rama tha se fakti që ka kaq shumë të lindur në 4 korrik në PS dëshmon se kjo parti është pro amerikane, duke e lidhur me faktin që sot SHBA feston 236 vjetorin e pavarësisë.Kryesocialisti sot kishte vendosur të hiqte dorë edhe nga statura e tij serioze, duke përqafuar të gjithë ata që u bënë pjesë e ditëlindjes së tij të 48.
Prej 7 vjetësh, Edi Rama e feston ditëlindjen në opozitë dhe ndoshta mes urimeve që ka marrë është edhe fitorja e zgjedhjeve te 2013-tës, që 4 korriku i ardhshëm ta gjëjë larg zyrës së PS-së, në zyrën e Kryeministrit.