Ditët e Kujtesës në Shkodër, ekspozitë me 40 portrete të viktimave të diktaturës

Në kuadër të Ditëve të Kujtesës për viktimat e komunizmit, në ambientet e Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër u çel ekspozita “Rrugëtime të papritura të jetës”, një homazh vizual dhe emocional për ata që vuajtën gjatë regjimit të errët monist në vendin tonë.
Ekspozita sjell për publikun 40 portrete të ish-të burgosurve dhe ish-të përndjekurve politikë, të realizuara nga fotografi koreano-gjerman Dong-Ha Choe.
“Ditët e Kujtesës kanë rëndësinë e tyre sa i përket përfshirjes në to. Shqipëria nuk duhet t’i harrojë asnjëherë personat që kanë pasur vlera për shoqërinë dhe për to janë ndëshkuar gjatë regjimit. Edhe në Gjermani janë të rëndësishme këto aktivitete memoriale që lidhen me të shkuarën. Duke ditur që Shqipëria ka pasur një nga regjimet më të egra në të gjithë Evropën Lindore, është përgjegjësi e juaja për të mos harruar ata që vuajtën në atë sistem,” tha Thomas Kunze, drejtori i Zyrës së Fondacionit “Konrad Adenauer” për Shqipërinë.
Krahas portreteve, vizitorët patën mundësinë të njiheshin edhe me historitë personale të secilit prej tyre, rrëfime që pasqyrojnë dhimbjen, rezistencën dhe dinjitetin përballë një sistemi shtypës.
Ky projekt u organizua nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) me Jonila Godolen si kuratore të ekspozitës.
“Përveçse në Shkodër nuk pashë asnjë përmendore, asnjë obelisk, asnjë memorial për gjithë viktimat dhe qëndresëtarët e 45 viteve diktaturë,” u shpreh drejtuesja ekzekutive e IDMC-së, znj. Godole.
“Unë, personalisht, kur shikoja profilet e atyre njerëzve shihja dhe kuptoja në ato foto që kishte një emocion, një ndjenjë, një gjendje shpirtërore,” tha Pjerin Mirdita, përgjegjësi i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.
Ekspozita fotografike vjen si një thirrje për kujtesën kolektive dhe reflektim mbi të shkuarën komuniste të vendit. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë në vijim.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/