Sfidat dhe zhvillimet në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, një delegacion francez inspekton pikën kufitare e doganore të Qafë Thanës

Një delegacion prej 80 zyrtarësh të lartë nga Instituti për Studime të Larta i Ministrisë së Brendshme franceze (IHEMI) po zhvillon një vizitë studimore në Shqipëri, me qëllim njohjen nga afër me sfidat dhe zhvillimet në fushën e sigurisë dhe drejtësisë në vendin tonë.
Në kuadër të programit të vizitës, delegacioni francez zhvilloi një inspektim në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku u njoh nga afër me strukturat dhe funksionimin e Policisë së Shtetit dhe të Doganave shqiptare në këtë zonë strategjike të kufirit me Maqedoninë e Veriut.
“Gjatë vizitës në terren, zyrtarëve francezë iu prezantua organizimi i punës në këtë pikë doganore, masat për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe teknologjitë e përdorura për garantimin e sigurisë kufitare”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD).
Një demonstrim praktik i funksionimit të skanerit në procesin e kontrollit të automjeteve u zhvillua si pjesë e vizitës, duke ilustruar masat moderne të kontrollit dhe parandalimit të kontrabandës dhe krimeve ndërkufitare.
Sipas DPD, vizita është hap konkret në thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre franceze në drejtim të forcimit të kapaciteteve në fushën e sigurisë, menaxhimit të kufijve dhe zbatimit të ligjit, në përputhje me standardet evropiane.
/rtsh.al/