E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ditët e Mios” në Korçë, publikohen 7 tablo të panjohura

Korça vazhdon të përkujtojë piktorin e Popullit, Vangjush Mio, në aktivitetin e përvitshëm “Ditët e Mios”, këtë vit me një ekspozitë me 44 punime të përzgjedhura nga fondi i artë i galerisë së arteve figurative, si dhe me 7 tablo të tjera të papublikuara më parë, të sjella në këtë ekspozitë nga vajza e tij Rozeta. Pjesa më e madhe e kësaj ekspozite përbëhet nga peizazhe, të cilat pasqyrojnë natyrën e Korçës, fshatrave të saj, por edhe bukuritë e natyrës së qyteteve të tjera të vendit, deri në Sarandë e Ulqin. “Im atë ishte një piktor shëtitës dhe jetën ia kushtoi artit, ku punoi për 40 vjet me radhë. E ka pikturuar atdheun e tij që nga jugu, nga Himara deri në Ulqin. Po dashurinë më të madhe e kishte për qytetin e tij të lindjes, Korçën”, - tha vajza e piktorit në çelje të ekspozitës me 44 punime të tij. Në “Ditët e Mios” u ekspozuan edhe disa prej pikturave nudo, të cilat janë krijime të viteve studentore të piktorit të madh në Itali. Ekspozitën e parë Vangjush Mio e ka çelur në Tiranë në vitin 1920, kur ishte student dhe të fundit në 1983-in, po në Tiranë me 200 piktura, të cilat gati tërësisht u blenë nga arkivi i Galerisë së Arteve në Tiranë. Këto edhe sot janë pjesë e fondit të kësaj galerie. “Mio erdhi në këtë botë të ngatërruar me një pastërti të veçantë, e cila fillon nga drita që është simboli i pikturës së Mios. Ajo është frymëzim dhe u çeli rrugën jo vetëm krijuesve të rinj, po dhe krijuesve të tjerë që janë më të moshuar, të ecin në këtë rrugë plot dritë që e solli ky personalitet i shkëlqyer me një dritë të brendshme shpirtërore”, - tha Koço Ristani, piktor korçar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›