E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Kombëtar fton publikun të mësojë “Kënaqësitë e tradhtisë bashkëkohore”

Dramaturgu bashkëkohor rus, Valentin Krasnogorov ka gjetur “adhurues” edhe në Shqipëri. Veprat e tij “Le të bëjmë seks”, “Çdo njeri ka yllin e tij”, “Tani ose kurrë”. “Takimi i së mërkurës”, “Kënaqësitë e tradhtisë bashkëkohore” etj, janë vënë në më shumë se 200 teatro të botës. Në Shqipëri, ky autor ka ardhur për publikun fillimisht si një “eksperiment” nga regjisorja e re Elma Dorezi, e cila me shfaqjen “Le të bëjmë seks” nga ky autor fitoi dhe Festivalin e të rinjve të këtij viti. Ftesa për seks ishte një shfaqje që mbushi si asnjëherë tjetër sallën e Teatrit Kombëtar në fillim të Festivalit të Teatrit të të rinjve. E ndoshta e nxitur nga ky sukses, një tjetër regjisore e re, Najada Elmazi ka përzgjedhur pikërisht këtë autor bashkëkohor rus që banon në Izrael, për të sjellë premierën e radhës në Teatrin Kombëtar. Sërish në linjën e “seksit” bashkëshortor dhe marrëdhëniet mes grave dhe burrave janë në qendër të pjesës “Kënaqësitë e tradhtisë bashkëshortore”, që do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar. Kjo vepër e përkthyer nga Mehmet Xhelili, është një cikël pjesësh njëaktëshe që përfaqësojnë skena të ndryshme nga jeta e një çifti të dashuruarish. Këto histori të shkurtra teatrale mund të shfaqen veç e veç ose së bashku, si një shfaqje shumëaktëshe e përbërë nga dy deri në katër histori. Dialogu i thjeshtë, historitë paradoksale dhe komike, situatat pothuajse absurde dhe farseske dhe në të njëjtën kohë lirizmi i thellë, e mbajnë spektatorin në një tension të vazhdueshëm dramatik deri në batutën e fundit. Pjesa si e tërë dhe tregimet e saj individuale janë shfaqur me sukses në një numër teatrosh. Në çdo akt është një burrë, një grua, një dekor interier. Në dy pjesët e fundit kemi dy gra. Tema që i bashkon është “kënaqësia” e tradhtisë bashkëshortore, të gjitha pjesët kanë vetëm dy personazhe, një burrë dhe një grua (vetëm dy prej tyre-“Familja e përsosur” dhe “Marrëdhënie grash”- kanë dy gra). Për të luajtur në një kohëzgjatje të zakonshme mund të zgjidhen deri në katër nga shtatë tregimet e veprës. Trupa të ndryshme teatrore kanë përdorur grupe të ndryshme pjesësh. Karakteret në tri tregimet e para quhen “Ai” dhe “Ajo”. Këto tri pjesë mund të luhen si një pjesë shumëaktëshe (ky opsion është zgjedhur, për shembull në Teatrin Maly-Teatri i Evropës, nën drejtimin e Lev Dodinit në Shën Petërsburg), por mund të luhen edhe veç e veç. Sipas zgjedhjes që mund të bëjë teatri, të gjitha tregimet mund të luhen ose nga të njëjtët artistë, ose nga artistë të ndryshëm. Komedia “Kënaqësitë e tradhtisë bashkëshortore” do të jetë një shfaqje përshëndetëse për hapjen e festivalit “Teatri i të Rinjve”. Pjesa fillon pothuajse si një komedi e lehtë. Por, pas disa vërejtjesh të parëndësishme, heronjtë tanë papritmas e gjejnë veten në një situatë të dëshpëruar, pothuajse tragjike. Nyja dramatike është e lidhur në mënyrë të padukshme për shikuesit dhe vetë karakteret. Autori i veprës cilësohet si mjeshtër i paradoksit. Ai krijon me shkathtësi intrigën që nga minuta e parë e veprimit dhe e mban audiencën pezull deri në fund të aktit të fundit. Është e vështirë të parashikohet se cili është rezultati i një historie apo i tjetrës, ato janë të paparashikueshme. Në mënyrë që të vërë në gjumë vigjilencën tonë, të shikuesit që nga “batutat” e para, autori shpesh përdor elemente të situatave komike detektive dhe ndërton tension e skena dramatike. Veprat e Valentin Krasnogorov karakterizohen nga satira e mprehtë, ndenja delikate e humorit, që përmes absurdit arrin të depërtojë thellë në natyrën njerëzore. Kritikët vënë në dukje se “Me Krasnogorov kufijtë kalohen lehtë”. Shumë prej veprave të tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe veprat e tij janë vënë në skena të ndryshme të botës si në Shqipëri, Australi, Britani, Bullgari, Gjermani, Indi, Mongoli, Poloni, Rumani, SHBA, Çeki, Sllovaki dhe Mal të Zi). Ai është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›