E Diel, 1 Nëntor 2026

Diveroli: Mashtruan shqiptarët, nuk e dija për fishekët kinezë

Efraim Diveroli, 22-vjeçari i vendosur në qendër të akuzave në SHBA për skandalin e tregtimit të fishekëve kinezë në emër të Pentagonit, tha dje se ai nuk ka pasur dijeni, por është mashtruar nga pala shqiptare. 

 Biznesmeni i kompanisë amerikane të armëve AEY, përmes avokatit të tij Howard Srebnick, e ka hedhur përgjegjësinë tek pala shqiptare duke thënë se, “nuk ka pasur dijeni që arsenali ushtarak që e ka blerë, të ketë qenë prodhim kinez”. Tregtimi i municioneve apo armëve të prodhimit kinez është i ndaluar nga ligjet amerikane. Për këtë shkak mesnatën e së enjtes, javën që shkoi, Efraim Diveroli dhe tre bashkëpunëtorë të tij në kompaninë AEY, u arrestuan me urdhër nga Prokuroria amerikane. Në deklaratën e bërë publike përmes avokatit të Efraim Diverolit, nuk përmenden emra konkretë apo subjekte kur thuhet se ajo që ka mashtruar, duke sqaruar se, fishekët nuk ishin prodhim kinez, ka qenë pala shqiptare. Megjithatë kjo akuzë ndodhet në një e-mail, dërgesë elektronike që avokati Howard Srebnick, mbrojtës ligjor i Diverolit, i ka dërguar qeverisë amerikane pas arrestimit të klientit të tij me akuzën e mashtrimit në tregtinë e armëve, që bliheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Kabul. “Klienti im nuk ka blerë asnjë lloj municioni të prodhimit kinez, qoftë ‘direkt apo indirekt’, nga asnjë kompani ushtarake komuniste kineze, por ia ka blerë atë qeverisë shqiptare”, shkruan avokati i Diverolit, Srebnick në e-mail-in e tij dërguar qeverisë amerikane. Një deklarim i tillë nga avokati i të arrestuarit është bërë publik ditën e djeshme nga mediat amerikane, të cilat kanë vendosur skandalin e tregtisë së municioneve kineze, në qendër të vëmendjes së tyre që prej kohës kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, por në mënyrë të veçantë gjatë ditëve të fundit. Në e-mail-in që i ka dërguar qeverisë amerikane, më tej avokati i 22-vjeçarit Efraim Diveroli, ka pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm.
Pala shqiptare
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Tiranë, në mënyrë paralele po zhvillohet një hetim kompleks për tregtimin e municioneve në drejtim të Kabulit. Blerësi ka qenë kompania AEY, që kishte fituar një tender rreth 300 milionë dollarë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, për të furnizuar me municione kallashnikovi, autoritetet në Kabul, të cilat kishin në përdorim një armë të tillë. Pala shqiptare, e cila ka qenë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me përfaqësuesin e kompanisë AEY, Efraim Diveroli dhe të dërguarin e tij në Shqipëri, ka qenë ndërmarrja MEICO, e drejtuar nga Ylli Pinari, derisa ky u arrestua pas tragjedisë së Gërdecit, më 18 mars 2008. Megjithatë hetimet në SHBA, por edhe në Shqipëri, si dhe një investigim i gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”, kanë treguar se municionet kanë qenë të vjetra dhe për më tepër të prodhimit kinez. Në SHBA tregtimi i municioneve apo armëve kineze është i ndaluar dhe i dënueshëm sipas ligjit. Prokuroria vendase ka siguruar imazhe të qarta të momenteve kur fishekëve që bliheshin në Shqipëri, u janë hequr mbishkrimet kineze dhe më pas ato janë deklaruar tek autoritetet amerikane, si municione të prodhimit jokinez. Megjithatë hetimet kanë gjetur të dhëna për vjetërsinë e dukshme të municioneve, madje në disa raste, sipas hetimit, palës amerikane i janë shitur fishekë të ndryshkur që ishin larë me naftë në pjesën e jashtme për t’u dukur si të rinj. Anxhelo, gjyshi i Efraim Diverolit, në deklarimet e tij për median amerikane i ka konsideruar fabrikime akuzat e ngritura ndaj 22-vjeçarit.

Ushtria: Rindërtimi i banesave në Gërdec, i nxituar

TIRANE – Përpjekjet e banorëve të zonës për të rindërtuar shtëpitë e shkatërruara në fshatrat Gërdec dhe Marqinet, cilësohen si veprime të parakohshme nga specialistët e ushtrisë por edhe nga kryepleqtë e këtyre fshatrave. Major Faik Skopeci, aktualisht me detyrën e zëvendëskomandantit të operacionit ushtarak në territorin e ish-fabrikës së çmontimit në Gërdec, sqaroi për gazetën “Panorama”, problemet e rrezikut që ushtria ka vënë re në zonën ku ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008. Faik Skopeci, i cili prej më tepër se 15 vite mban uniformën e ushtrisë, tha megjithatë se, që prej kohës së shpërthimit problemet kanë ardhur duke u minimizuar. Në fshat sipas tij, rreziku nuk është i pranishëm, përveç zonës ku më parë ndodhej reparti ku ishte ngritur fabrika e çmontimit. Por sipas ushtarakut, s’mund të ndërtosh në këtë zonë se mund të ketë probleme për shkak se vetë efektivët e ushtrisë mund të provokojnë shpërthime të vogla për asgjësimin e predhave apo mbetjeve të tjera luftarake, ende të pazbuluara në thellësi të tokës. Kjo, sipas tij, mund të sjellë kujtime dhe përjetime aspak të mira për banorët e zonës. “Veçanërisht ata që kanë pasur fatkeqësi, mund të kenë përjetime aspak të mira kur dëgjojnë shpërthime”, tregon ai. “Madje, këtë problem ne e kemi diskutuar edhe me specialistë amerikanë, të cilët kanë qenë këtu”, shton më tej ushtaraku. Sipas tij, në drejtim të sigurisë zona mund të konsiderohet pa probleme serioze, ndërsa përsa i përket parametrave të ndotjes ushtaraku shton se, specialistët e fushës kanë pasur rezerva vetëm për ujin, por për ajrin dhe tokën kanë dhënë mendime pozitive duke miratuar qëndrimin e banorëve aty. Pak ditë më parë drejtuesit e operacionit në zonë kishin thirrur edhe kryepleqtë e fshatrave të zonës për të biseduar me ta, mbi disa banesa të pabanueshme që ishin caktuar për t’u shembur nga Bashkia e Vorës. Zëvendëskomandanti i operacionit, i ulur përballë kompjuterit të tij sqaron se, për gati një muaj ata kanë shembur më tepër se 100 banesa, të cilat kanë qenë të pabanueshme, të cilësuara si të tilla nga Bashkia e Vorës dhe komisionet e vlerësimit. Mbi gërmadhat e tyre, ose mbi troje të tjera, banorët dhe pronarët e shtëpive tashmë kanë nisur të ndërtojnë shtëpitë e reja. Arif Halili dhe Tefik Gërdeci, kryepleqtë të fshatrave Marqinet 1 dhe Gërdec pohojnë se, banorët e zonës kanë nisur të ndërtojnë shtëpitë e tyre vetë, pasi kjo ishte alternativa e zgjedhur prej tyre. “Kryetari i bashkisë i mblodhi të gjithë fshatarët dhe iu tha se, si dëshironin të bëhej dhe ata zgjodhën të merrnin paratë në dorë dhe t’i ndërtonin shtëpitë vetë”, vijon Arif Halili.                     d.b

“Përgjimi, provë për trafikun e armëve”

Përgjimi i bisedës telefonike mes Efraim Diverolit dhe Kosta Trebickës, në të cilën flitet për tregtinë e fishekëve nga Shqipëria në Kabul dhe ndërhyrjet e Ylli Pinarit në këtë lojë, është konsideruar si provë nga Prokuroria shqiptare.

Trazhgim Sokolaj

Lajmi konfirmohet nga burime të institucionit të akuzës, të cilat thanë se, prokurorët që po hetojnë abuzimet e mundshme me shitjen e municioneve tek pala amerikane, kanë vërtetuar autenticitetin e bisedës telefonike, që është përgjuar gjatë një komunikimi mes presidentit të kompanisë “Xhoi”, Kosta Trebicka dhe kreut të kompanisë amerikane AEY, e cila ka blerë fishekët stok të ushtrisë shqiptare nga ndërmarrja MEICO dhe drejtuesi i saj Ylli Pinari. Në bisedën e përgjuar, Kosta Trebicka dhe Efraim Diveroli, flasin hapur për një lojë të Ylli Pinarit, i cili po bënte veprime aktive me qëllim përjashtimin e kompanisë “Xhoi” nga paketimi i fishekëve dhe futjen në këtë biznes të një subjekti tjetër. Biseda telefonike, e cila është regjistruar vitin e kaluar 2007, është bërë publike nga gazeta “Panorama”, pak ditë pas tragjedisë së ndodhur në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Kjo bisedë përbënte indicie për të dyshuar se zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar ishin implikuar në abuzime gjatë shitjes së fishekëve tek firma AEY, fituese e tenderit të Pentagonit për furnizimin e forcave policore vendase në Kabul. Sipas hetimeve, plot 35 ngarkesa me fishekë të MEICO-s, prodhim kinez janë transportuar nga Shqipëria në Kabul, pasi ndryshoheshin arkat dhe mbishkrimet “Made in China” mbuloheshin me bojë, duke deklaruar më pas municionet si prodhim jokinez.
Hetimi i aferës
Pak ditë pas publikimit të kësaj bisede, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë deklaroi se, ka sekuestruar një kopje të përgjimit dhe po verifikonte vërtetësinë e tij, personat e implikuar dhe veprat penale për të cilat ajo bën fjalë. Nuk kaluan shumë ditë derisa Kosta Trebicka, njëri nga protagonistët e kësaj bisede të përgjuar, dëshmoi dy herë me radhë në Prokurori për dhjetë orë, gjithçka dinte rreth abuzimit me shitjen e municioneve tek pala amerikane. Këto deklarime ekspertimi shkencor dhe prova të tjera të mbledhura nga hetuesit, kanë bërë që Prokuroria e Përgjithshme ta konsiderojë si provë, përgjimin e bisedës mes Kosta Trebickës dhe Efraim Diverolit, edhe pse ajo është kryer pa një vendim paraprak nga gjykata. Biseda në fakt flet për veprimet konkrete që Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, po kryente me qëllim përjashtimin nga ky aktivitet të Kosta Trebickës, i cili ishte kontraktuar nga firma fituese e tenderit të Pentagonit për paketimin e fishekëve shqiptarë, që çoheshin në Kabul. Trebicka filloi paketimin e fishekëve në prill 2007, por shumë shpejt u anashkalua nga ky aktivitet ndërsa në këtë kohë palës amerikane fishekët iu shitën me dyfishin e çmimit. Në përgjim gjithashtu flitet edhe për manovrat e Ylli Pinarit, i cili duke futur në lojë një subjekt misterioz e fiktiv, “EVDIN” sh.p.k me qendër në Greqi, që dyfishoi çmimin e fishekëve nga 22 dollarë për një mijë copë, në 40 dollarë për 1 mijë copë të shitur tek AEY, duke dyfishuar kështu edhe fitimet nga ky transaksion ndërkombëtar municionesh. Prokuroria shqiptare ka kërkuar të dhëna edhe nga pala amerikane rreth këtyre abuzimeve, si dhe u ka bërë me dije atyre përmes letërporosive, prova e të dhëna të mbledhura gjatë hetimeve të saj rreth këtij abuzimi.

Arrestimi i Diverolit, PS: Prokuroria të nisë hetimin edhe ndaj Berishës

Partia Socialiste ka reaguar dje pas arrestimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të presidentit të firmës AEY, Efraim Diveroli. Nënkryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Erjon Braçe, tha gjatë një konference për shtyp se Prokuroria duhet të hetojë edhe Kryeministrin Sali Berisha për trafikun e armëve, pas të cilit u arrestua presidenti i firmës amerikane, i cili ishte edhe bashkëpunëtor me MEICO-n në blerjen e armëve që do të shkonin në Irak. Sipas Braçes, pavarësisht statusit politik të individëve, Prokuroria duhet të zhvillojë hetime të njëanshme. “Ne kërkojmë me forcë që të regjistrohet nga Prokuroria një procedim i ri penal dhe të zhvillohen hetime të mëtejshme, të plota, gjithëpërfshirëse dhe të papenguara nga statusi politik i personave të përfshirë në krim, në këtë krim të ri që hedh dritë për një aferë të re kriminale, ku është përfshirë, qeveria e Sali Berishës dhe që ndodhet përtej krimit të Gërdecit”, u shpreh Braçe. Sipas numrit dy të grupit të deputetëve socialistë, krimi ku është përfshirë Berisha dhe familja e tij bëjnë me turp të gjithë shqiptarët. “Ky krim ku është përfshirë sali Berisha dhe familja e tij bën me turp të gjithë shqiptarët. Natyrisht që kryeministri i vendit zgjodhi dje të bëjë karnavalin në Karnavalet e Korçës, në vend që të merrte përgjegjësi dhe të reagonte me seriozitet lidhur me lajmin për implikimin e qeverisë së tij në komplot kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim përfitimi. Natyrisht që kryeministri është i lirë të flasë për korrupsionin e medias, apo për korrupsionin e kujtdo, por së pari duhet të flasë për krimin dhe korrupsionin ku është përfshirë ai vetë, familja dhe qeveria e tij”, theksoi më tej Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›