E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati në flakë, vdes i moshuari

Shpërthimi i bombolës së gazit shkakton fatkeqësi në lagjen 13 të Korçës. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Një banor humbi jetën, një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe 200 të tjerë kanë mbetur pa strehë, pasi pallati 3-katësh ku jetoni u përfshi nga flakët. Ata kanë dalë me rrobat e trupit nga apartamentet e tyre, duke humbur gjithë pasurinë e vënë prej vitesh, pasi zjarri dhe më pas uji ka nxjerrë jashtë përdorimit plotësisht godinën.
Ngjarja ka pasur fillim të saj shpërthimin e një bombole me gaz, rreth orës 13:00, me të cilën familja e Jemin Bejkos ishte duke përgatitur drekën. Pas një zhurme të fortë, që tundi gjithë pallatin apartamenti i kësaj familjeje, që ndodhej në katin e tretë të pallatit, është përfshirë nga tymi dhe flaka, duke izoluar 8 anëtarët e saj. Shqiponja, fqinja e tyre ka qenë e para që ju ka shkuar në ndihmë. “I gjeta të asfiksuar, asnjëri nga pjesëtarët e familjes nuk ishte në gjendje të dilte me këmbët e veta nga apartamenti. I kam hequr zvarrë deri në shkallët dhe me vrap shkoja për të tërhequr tjetrin. Në fund më ndihmuan edhe disa banorë të tjerë të pallatit. Që në minutat e para lajmëruam zjarrfikësit, por ata erdhën shumë vonë”, tregon ajo.
Zjarri ka avancuar shpejt sepse e ndihmonte fakti që pallati, i ndërtuar në vitet ’60, me 16 hyrje, kishte çati prej druri. Nga hyrja e familjes Bejko mori zjarr çatia dhe më pas flakët të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era që filloi të frynte në mesditë u përhapën me shpejtësi. Zjarri avanconte në të dyja anët e çatisë. Nëse zjarrfikësit do të kishin arritur në kohë sipas banorëve të pallatit dhe të pallateve përreth zjarri do të ishte izoluar dhe shuar, ndërsa dëmet ekonomike do të kishin qenë shumë të vogla. Banorët tregonin se mjeti i parë zjarrfikës që mbërriti në oborrin e pallatit që digjej ishte gati bosh. Uji me presion nuk arriti deri te çatia, pasi u mbarua. Më pas erdhën zjarrfikëse të tjera. Të parët që ndërhynë duke nxjerrë banorët e  mbetur ende në godinë kanë qenë punonjësit e policisë. Ishin një grup të moshuarish dhe të sëmurësh, një pjesë e të cilëve edhe të asfiksuar nga tymi që mbyti gjithë pallatin. Banorët nga jashtë thyenin xhamat me gurë për t’i shpëtuar nga asfiksia. Me mjetet e policisë ata u çuan në urgjencën e spitalit, e cila ndodhej vetëm 200 metra larg pallatit që digjej. Mes të asfiksuarve ka qenë 80-vjeçari Theodhor Trasha, që jetonte në katin e tretë i vetëm, i cili ndërroi jetë 1 orë më vonë, dhe pse u mjekua intensivisht. Në spital vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore nga tronditja që pësoi 50-vjeçarja, Myzejen Avxhiu. Nëna e 4 fëmijëve ka një djalë me sëmundje të rëndë në zemër dhe tani i duhet të përballet edhe me humbjen e banesës. Në këtë pallat jetonin mbi 25 familje, shumica me nga dy e tre kurorë brenda një apartamenti. Të mbledhur para oborrit, me ankth se çfarë do të ndodhë më tej i kanë kërkuar prefektes dhe kryebashkiakut t’i ndihmojnë për të shpëtuar nga kjo fatkeqësi. Situata e nderë ka vazhduar deri në orën 16:30, kur janë shuar plotësisht flakët.

Pronari: Falënderoj Zotin që shpëtuam

Jemin Bejko, pronari i shtëpisë ku ndodhi shpërthimi i bombolës së gazit tregon se, ndodhej brenda në banesë bashkë me familjen dhe një fqinj. “Po luanim domino kur dëgjuam që në kuzhinë diçka shpërtheu. Fatmirësisht aty atë çast nuk kishte njeri, por i tërë apartamenti u mbulua nga një tym i dendur. Ca nga tronditja, ca nga tymi ne u paralizuam e dalëngadalë po asfiksoheshim. Një fqinje theu xhamat dhe na ndihmoi të dilnim jashtë”. Ai thotë se nuk e di shkakun pse ndodhi shpërthimi, por në atë moment po gatuhej gjella e drekës. Ndërsa falënderon Zotin që familja e tij shpëtoi, ndihet keq për pasojat e ngjarjes. “Më dhimbset edhe vajza ime e i biri, që më erdhën nga emigracioni pas shumë vjetësh. Atyre u kanë humbur të gjithë dokumentet dhe rrezikojnë të mos kthehen dot në Australi, ku është pjesa tjetër e familjes”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›