Divjakë, nis mbjellja e shalqirit, pjesa më me madhe eksportohet. Shqetësim, rritja e çmimit të fidanit

Në Divjakë ka nisur mbjellja e shalqirit. Tynelet e shalqirit në Divjakë, shtrihen nëpër qindra hektarë sipërfaqje bujqësore. Kjo është java e ndërtimit të tyre dhe prodhuesit këtë vit kanë shtuar sipërfaqet që po kultivojnë.
Kjo teknologji ka vite që aplikohet nga fermerët e bostanoreve, e cila bën të mundur pjekjen e frutit për 3 muaj. Nga muaji mars që mbillet fidani deri në muajin maj, shalqiri që rritet në tynele është i pjekur.
Prodhuesit thonë se, kushtet e deritanishme janë në favor të tyre, por edhe nëse ka ngrica tynelet e mbrojnë bimën nga temperaturat e ulëta. Shalqiri i tyneleve prej plastmasi është i porositur i gjithi për eksport.
Sipas fermerëve këtë vit është rritur çmimi i fidanit krahasuar me një vit më parë, rritje që mund të ndikojë edhe në çmimin e këtij sezoni. Kjo teknologji aplikohet për varietetet e veçanta të shalqirit me qëllim daljen sa më shpejt të frutit në treg.
Periudha tre mujore nga mbjellja në pjekje e bën Divjakën eksportuesen e parë në Ballkan të shalqirit. Jo vetëm mbjellja në tynelet prej plastmasi, por edhe ditët me diell për shkak të pozicionit gjeografik të zonës, kanë bërë të mundur që prodhuesit e Divjakës të radhiten të parët për eksporte në vend.
/rtsh/