Rama: Mbi 164 mijë fëmijë kanë përfituar nga bonusi i bebes

Mbi 164 mijë fëmijë kanë përfituar nga bonusi i bebes që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Shifrën e bën të ditur kryeministri, Edi Rama përmes një postimi në Facebook.
“Dhe me kënaqësinë që deri tani kemi mbështetur mbi 164 MIJË fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes nga janari 2019, ju uroj një të diel të mbarë”, shkruan Rama.
Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit. Prindërit e fëmijëve e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen. Për fëmijën e parë bonusi është 40,000 lekë, për fëmijën e dytë 80,000 lekë dhe për fëmijën e tretë e më shumë 120,000 lekë.
/rtsh.al/