E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i Arta Dades, zbardhet dënimi

Lokali i Besnik Dabullës, ku ndodhi ngjarja

Djali i Arta Dades u dënua për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që arma e krimit nuk është gjetur, ndërsa i shpëtoi akuzës për plagosje, edhe pse ekspertiza tregoi se Endrin Lufi për 9 ditë ishte i paaftë për punë, si pasojë e goditjes me plumb pistolete në bark.Një plumb i shkrehur nga arma që mbante në duart Besnik Dabulla, djali i Arta Dades, mbrëmjen e 5 janarit të këtij viti, plagosi lehtë Edrin Lufin, nipin e ish-kryeministrit Adil Çarçani. Ai u lëndua teksa ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me Dabullën. Gjykata është e bindur se arma ishte një pistoletë e vogël e kalibrit 7.65 mm dhe se Besnik Dabulla nuk kishte leje për mbajtjen e saj. Gjykata e Tiranës zbardh vendimin e shpallur nga gjyqtari Albert Meça pak ditë më parë, me anë të të cilit Dabulla u dënua me 6 muaj e 20 ditë burg për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Në masën përfundimtare të dënimit, Dabulla përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës. Gjykimi ndaj tij në Gjykatën e kryeqytetit u zhvillua ndërsa ai ishte i lirë. Në vendimin e saj, gjykata sqaron se Besnik Dabulla nuk u akuzua për plagosje, pasi lëndimi i Lufit ishte i lehtë dhe se nuk pati ndonjë kallëzim nga ana e tij. Duke qenë se dëmtimet e të dëmtuarit Eldrin Lufi kanë qenë të lehta dhe ky shtetas nuk ka paraqitur kallëzim penal apo të ketë kërkuar ndjekje penale, i pandehuri është akuzuar nga ana e Prokurorisë vetëm për kryerjen e veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, thuhej më vendimin e gjykatës. Burime zyrtare pohuan se Dabulla e ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë në Apelin e Tiranës.
NGJARJA SIPAS GJYKATES
I pandehuri Besnik Dabulla është banor i qytetit të Tiranës dhe rezulton të ketë lidhje shoqërore edhe me shtetasit Edrin Lufi dhe Sh.Hoxha. Me datë 05. 01. 2011, i pandehuri dhe shtetasit e mësipërm kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit në lokale të ndryshme deri rreth orës 16:00 kur janë ulur në lokal Liburnia, që ndodhet në rrugën Perlat Rexhepi në qytetin e Tiranës dhe administrohet nga i pandehuri Besnik Dabulla. I pandehuri dhe i dëmtuari Edrin Lufi kanë qëndruar në shoqërinë e njëri-tjetrit disa orë dhe kanë konsumuar edhe pije alkoolike. Gjatë kohës që personat e mësipërm po qëndronin në lokal, i pandehuri ka pasur me vete një armë zjarri tip pistoletë që e mbante pa lejen e organeve kompetente, me të cilën edhe ka luajtur në mënyrë të pakujdesshme. Në një moment, rreh orës 19:00- 19:30, pistoleta që mbante në dorë i pandehuri është shkrepur dhe predha ka goditur të dëmtuarin Edrin Lufi në pjesën e barkut të tij. I pandehuri ka marrë të dëmtuarin dhe me makinën e tij e ka dërguar në SQU Tiranë, ku i është dhënë ndihma mjekësore. Dëmtimet që ka pësuar i dëmtuari janë vlerësuar nga aktet e ekspertimit mjeko-ligjor si dëmtime që kanë sjellë paaftësi për punë, në masën mbi nëntë ditë, thuhej në vendimin e gjykatës.

Plagosja

Referuar ekspertimit mjeko-ligjor të cituar në vendim mbi lëndimin e Edrin Lufit pas ngjarjes, thuhej: Në trupin e shtetasit Edrin Lufi u konstatua një plagë tejshkuese arme zjarri në paretin e barkut. Këto dëmtime janë shkaktuar nga predhë arme zjarri, nga një qitje e vetme Dëmtimet e shkaktuara në trupin e shtetasit Edrin Lufi futen në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbje të paaftësisë për punë në masën mbi 9 ditë pushim.

Fajësia

Pas ngjarjes, policia nuk gjeti armën, por vetëm një gëzhojë dhe një predhë plumbi. Por, referuar atyre dhe provave të tjera, gjykata është bindur se ajo ka qenë një pistoletë me të cilën realizohet normalisht qitje. I pandehuri nuk ka pasur asnjë leje për mbajtjen e kësaj arme dhe, duke qenë kështu, mbajtja e saj ka qenë ligjërisht e ndaluar, thuhej në vendim.

Lufi: Jemi shokë, po bënim gallatë

Pas incidentit të mbrëmjes së 5 janarit në ambientet e bar Liburnia, edhe i dëmtuari Edrin Lufi ka dhënë deklarimet e tij lidhur me ngjarjen. Kështu, ai ka dëshmuar lidhur me shoqërinë dhe marrëdhëniet shumë të mira me të pandehurin, faktin që ndodheshin së bashku, faktin se i pandehuri ka pasur një pistoletë të vogël, dëmtimet e pësuara, faktin se ka qenë i pandehuri që e ka dërguar në spital etj. I dëmtuari ka deklaruar se: Aty në tavolinë Niku (Besnik Dabulla) nxori një pistoletë dhe, duke luajtur me të, pra duke bërë gallatë, ajo u shkreh dhe unë u plagosa në bark. Niku ishte në anën e majtë të tavolinës kur u shkrep pistoleta. Ajo u shkreh vetëm një herë, thuhet në arsyetimin e gjykatës. Deklarata, me anë të së cilës Lufi shfajësonte Dabullën, iu servir gjykatës që daljen e Dabullës para gjykatës për vlerësimin e arrestit të tij.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›