Masat e sezonit turistik, lokalet e natës do të mbyllen në orën 23:00

Nga takimi i djeshëm
TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u bëri të ditura dje strukturave të policisë detyrat për sezonin turistik. Në një komunikim me drejtues të Policisë së Shtetit, prefektë dhe drejtues të policisë në qarqe, ministri Nishani ka kërkuar marrjen e masave të duhura gjatë verës për garantimin e rendit dhe qetësisë si dhe rritjen e sigurisë publike. Nishani u ndal në tri raste konkrete, sportet që duan përkujdesje të veçantë për sigurinë e personave që ushtrojnë kontrollin në përdorimin e motorëve të ujit, si dhe zhurmat që krijohen nga lokalet e natës pranë vendeve ku qëndrojnë pushuesit. Ai iu referuar rastit të disa ditëve më parë, ku një turiste çeke humbi jetën duke ushtruar sportin e kanotazhit. Ministri Nishani u kërkoi institucioneve përkatëse që të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, që sportet e kësaj natyre të organizohen nga agjenci të licencuara. Tashmë në Shqipëri ka federata të licencuara, të organizuara me njerëz të trajnuar, kanë guidat e tyre, e njohin terrenin dhe janë nën kontrollin e autoriteteve, të cilat monitorojnë veprimtarinë e tyre. Nuk do të vazhdojë të tolerohet që njerëz jashtë këtyre trajnimeve, në mënyrë gjysmë ilegale të ushtrojnë aktivitete të tilla, që nuk ofrojnë siguri për jetën e qytetarit, deklaroi Nishani. Gjithashtu, ai u kërkoi strukturave të Policisë së Shtetit që të përmirësojnë etikën dhe mënyrën e komunikimit me qytetarët. Strukturave të Policisë Kufitare Nishani u kërkoi të shtojnë personel në pikat ku flukset e lëvizjes së pushuesve janë më të mëdha dhe gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin me shërbimet policore kufitare të vendeve fqinje për lehtësimin e lëvizjes së pushuesve. Me propozim të Ministrisë së Brendshme, qeveria e Shqipërisë ka miratuar pak ditë më parë planin kombëtar të masave për sezonin turistik. Veç planit që parashikon rritjen e masave në kufi dhe në akset rrugore, vendimi parashikon edhe mbylljen e lokaleve të natës në orën 23:00 gjatë ditëve të javës dhe lejimin e tyre deri në 24:00 për të shtunat. Po kështu, vendimi parashikon rregulla të ashpra për motorët e ujit, që nuk duhet të afrohen më shumë se 300 metra nga vija tokësore e plazhit me detin. Vendimi parashikon një sërë masash nga Policia Rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe rregullimin e trafikut sidomos në akset rrugore Durrës – Morinë, Durrës Qafë-Thanë, Durrës Vlorë, Shkodër Tiranë, Tiranë-Durrës, Kakavijë-Gjirokastër-Fier-Vlorë ose Durrës dhe Kapshticë Korçë Elbasan – Durrës.