Djali i Diana Ademit: Humba ndjenjat kur mora lajmin (ndërkohë vrasësi endet në liri)
Vrasësi i tre personave në plazhin e Vlorës para pak ditësh vazhdon të endet në liri. Dyshimet janë se Delin Hajdaraj, që vrau tre persona të pafajshëm, mund të jetë larguar nga vendi, ndaj policia e ka shpallur në kërkim.
Ajo që të trondit është hezitimi i policisë për të nxjerrë emrin e tij prej ditësh. Madje, as për të komentuar se çfarë tipi është ai, a rrezikohen qytetarët prej tij dhe nëse ka ndonjë foto që mund të tregojë se kush është ai njeri që qëllon mbi turmën në mënyrë të çmendur.
Ndërkohë djali i Diana Ademit, njërës nga viktimat e masakrës së Vlorës, ka rrëfyer për GSH momentin kur ka marrë vesh lajmin.
Rudi Kolgjini, 22 vjeç, shprehet: Kam qenë në Tokio në hotel; kur hapa adresën e Facebook-ut, pashë se një shoqja e mamit e kontaktuar nga Oliveri (nipi i Dianës), më kishte shkruar se mami ishte vrarë gjatë kohës që ishte në plazh. Menjëherë kam kontaktuar me familjen e gjyshes dhe më treguan gjithçka. Nuk arrija ta besoja. Dola jashtë hotelit dhe aty humba ndjenjat. Më shoqëruan për në spital miqtë e mi. Më pas u riktheva në hotel dhe lexova çfarë kishte ndodhur. Isha komplet i pavetëdijshëm e më dukej çdo gjë ëndërr. Shoqëria ime organizoi gjithçka për kthimin tim të nesërmen për në Gjermani. Aty na pritën një grup shokësh, dhe bashkë me të dashurën time dhe me motrën e saj u nisëm në drejtim të Italisë, ku morëm tragetin për të ardhur në Shqipëri.
Mamaja më merrte gjithmonë në telefon për të më pyetur si isha, çfarë po bëja. Kishte merak dhe donte të informohej për çdo gjë. Edhe atë ditë bëri të njëjtën gjë; më pyeti nëse isha mirë dhe unë i thashë që po kaloja shumë mirë. Nuk e imagjinoja kurrë çfarë mund të ndodhte, sepse mamaja ime ishte një njeri që nuk i bënte keq askujt, dinte të bënte vetëm të mira. Dhe, kur e mora vesh për ngjarjen, për asnjë moment nuk mendova se vrasësi kishte dashur të qëllonte atë.
Rudi thotë se ata si familje vendosën që trupi i saj të prehet në Vlorë./ep