E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djalli kur e dëbojnë tund edhe zilkat

Jo më kot është thënë vazhdimisht, se veprat e Shekspirit dhe të Gëtes kanë shumë vlera, mbi të gjitha, se janë konceptuar me objektivitet të atillë, saqë të rrëmbejnë, të bindin dhe të detyrojnë të bëhesh pjesëmarrës i ngjarjeve që përshkruhen. Në këto vepra, çdo personazh, madje edhe djalli vetë, kur paraqitet dhe flet duket se është produkt i natyrës dhe i shoqërisë, krijesë e një pamjeje të përditshme të jetës së njerëzve dhe jo e fantazive biblike apo mitologjike. Nga ky prizëm, ashtu si veprat e natyrës, edhe ato të arteve pamore janë zhvilluar nga një parim i brendshëm, në virtyt të të cilit ajo çka ekspozohet, me të vërtetë të duket e natyrshme, ndonjëherë edhe e dobishme.
Prandaj, francezi Pikaso u bë aq i famshëm me ‘Pëllumbin’ - simbol i paqes, ndërkohë që norvegjezi Münch kujtohet në të gjithë botën për ‘Klithmën’ - simbol i dhimbjes dhe i revoltës njerëzore. Por, siç është bërë publike në dhjetëra e qindra vjet, jo vetëm këta piktorë dhe as vetëm këto simbole meritojnë vëmendje të pashkëputur. Dalí, për shembull, nuk ishte i marrë se përtypte copëra gazetash, ai nuk ishte i tillë që pikturoi dhe paraqiti në një tablo të ngjyrave të errëta të natës në vend të njeriut vetë djallin. Një djall me brirë, që tek hidhte këmbët për t’u bërë erë, duart i dridheshin duke tundur zilkat.
Kështu pra, prej kohësh e në vazhdim edhe ky personazh nuk u ka munguar asnjëherë marrëdhënieve të zakonshme midis njerëzve, të cilët në vlerësimet për të tjerët jo rrallë u mjaftojnë vetëm pak fjalë që të përshkruajnë karakteret dinake dhe të liga: “Ai është një djall!”, “Ai është djalli vetë!”. Por të tillit, edhe kur i shmangen apo kur e dëbojnë, mendja e mbrapshtë e bën të mos ndryshojë dhe t’u kujtojë të njohurve, se përsëri do të futet në mes atyre që në marrëdhënie me njëri-tjetrin bëjnë si hëna, tregojnë ngaherë të njëjtën fytyrë, për t’ua shkulur dhëmbët edhe xhepat, duke vënë një maskë që ia përshtat surratit, një maskë që të jetë e gënjeshtërt dhe ta përdorë sa herë ka nevojë.
Pikërisht kështu ka ndodhur edhe këtu, kështu po ndodh edhe në mes nesh. Ishin vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur populli shqiptar pretendonte që Shqipëria e tyre të bëhej menjëherë si e gjithë Europa dhe në hapat e para iluzive të kësaj rruge zgjodhi aksidentalisht si përçor atë që koha vërtetoi, se me mashtrime i shndërroi bashkëqytetarët në një kope të trullosur, për ta qorrollepsur në greminat e varfërisë dhe vëllavrasjes. Dhe, kur ata e larguan me votë nga vendi që mbante, djalli nisi të tundë zilkat, që t’i tregonte këtij vendi se këtu do të qëndronte, për t’u kthyer atje nga e kishin zbuar. Jehona e këtyre zilkave u ndje edhe pas një viti, kur bashkë me një grusht pinjollësh të verbër të regresit, që vazhdonin t’u drejtoheshin gjurmëve të natës, kërkuan t’ia kthejnë popullit drejtimin e ri për ku ishte nisur.
Por, për ca vjet këto zilka nuk patën efekt dhe prandaj djalli zuri të gromësijë dhe të ulërijë, derisa u kujtua që duhej të vinte në vend të ngërdheshjes një tjetër maskë, që të gjallët të mos mendoheshin shumë, nëse vlerat e këtij të “tjetërsuari” shumë shpejt do t’i bënin të duronin sërish pasojat e një varfërie, fyerje dhe egërsie, ndoshta më të rënda se sa të parat.
Sapo t’i paraqitej rasti, ky karakter i pandryshueshëm do të sillej si më parë, pa iu dridhur fare qerpiku, edhe pse kundërshtonte me duar e këmbë, shante e gjobiste cilindo që tentonte t’ia hiqte maskën. Ndërkohë që edhe me më shumë pafytyrësi se sa dikur vazhdonte të përgjërohej “sinqerisht”, se nuk e zinte gjumi për hallet e kësaj bote, duke kërkuar me pahir lavdinë e rrejshme. Atë lavdi që mund të synohet vetëm me vepra e fakte të jashtëzakonshme dhe jo me borxhe të pafundme dhe kambiale të nënshkruara në skuta të errëta mbi kurriz të popullit, për t’i transportuar pastaj së bashku me produktet e krimeve të tjera në valixhe metalike, të cilat qoftë edhe vetëm një rreze lazer mund t’i njollosë apo copëtojë çfarë mbajnë brenda.
Mirëpo, përvoja ka treguar se, për të gjitha qeniet njerëzore, që e kanë këtë emërtim të përbashkët ngaqë natyra i ka pajisur me ndërgjegje dhe arsye, edhe durimi e ka një kufi. Kështu pra, një shumicë e madhe njerëzish një të diel të vonë në Shqipëri nuk iu dorëzuan fjetjes, as nuk u zdërhallën zhegut të qershorit, por u mblodhën tok dhe e shtynë djallin në shtigjet drejt greminës. Tani këtij djalli me brirë, edhe më të gjata se sa dikur, përsëri iu tundën këmbët, në pritje të ardhjes së një tjetër muzgu. Prandaj po tund zilkat. Ca zilka që, për fatkeqësinë e ‘unit’ të tij, tashmë janë ndryshkur dhe lëshojnë një zë gërvishtës. Një zë, që me sa kuptohet, nuk ia mbush dot mendjen askujt, se ai prapë do të kthehet, nuk i gënjen dhe as i tremb dot shqiptarët me mashtrime të reja, të cilat po qe se do ta rivinin në pushtet mjeshtrin e pacipë të tyre, do të shndërroheshin në dëmin dhe turpin gjithnjë e më të madh të këtij populli.
Ja pra, duke tundur njërën nga këto zilka djalli mundohet t’u japë zemër ca të shkretëve djallushë me një thirrje që të bën për të qeshur: “Unë jam shumë i ri dhe që nga viti 2005 nuk isha mësuar me humbjen e partisë me të cilën jam lidhur. Por, dua të them të vërtetën, nuk...e di se si, por që nga dita që u mor vesh humbja, në mënyrë të çuditshme ndjej në veten time një forcë, një energji që unë kurrë nuk e kam ndjerë ndonjëherë për të bërë gjithçka që këta që erdhën në pushtet t’i bëjmë prapë opozitë që në sekondat e para të mandatit tjetër...sb”. Me zilkën tjetër kërkon ta “këshillojë” prijësin e ri, se: “Revanshi të verbon, të bën edhe Enver, por edhe Don Kishot! Ndryshim! Përpara drejt të shkuarës!!!sb”. Etj, etj.
Dhe, kur bëhen këto thirrje apo “këshilla”? Në një kohë që është vërtetuar tashmë, se borxhi publik në 6 muajt e parë të 2013-ës kapërcen parashikimin vjetor në situata me të vërtet të frikshme; ajo me deficitin buxhetor sa vjen e bëhet akoma më shqetësuese, si rrjedhojë e përfitimit të pakët të të ardhurave dhe rritjes së lartë të shpenzimeve qeveritare e administrative, të cilat u derdhën lumë, për të lënë në krye atë që e ka shndërruar këtë vend në një qorrsokak me të vetmen shpresë daljeje largimin e tij nga punët e shtetit. Jo vetëm kaq, zbrazja e burimeve financiare po shoqërohet me zbrazjen e kaskadës së Drinit, për t’u gjendur në shtator në krizë të thellë energjetike, që mund të zgjidhet vetëm me importin e saj me çmime të shtrenjta, të cilat kompanitë shqiptare të fushës nuk i përballojnë dot. Gjithashtu, thirrjet dhe “këshillat” e mësipërme bëhen në një kohë, kur maska të tjera dalin rrugëve dhe futen shtëpive për të grabitur e vrarë qytetarë pa teklif, sepse nuk ekziston “shteti” i sb, që i siguron djallushët e tij se nuk do t’i ndëshkojë askush përderisa këta që erdhën në pushtet do t’u bëkërkan opozitë që në sekondat e para të mandatit të tyre(?!).
Këto dhe të tjera pjesë të trishtueshme të realitetit aktual, shumë prej votuesve që mundësuan përmbysjen e djallit tani kanë të drejtë të shqetësohen dhe prandaj i bëjnë një kundërthirrje kryeministrit të ri, që t’ia presë duart atij në ikje, i cili veç këmbëve dhe prapanicave, të mos tundë më zilkat. Mirëpo, ndonjëherë pakënaqësitë duhen përjetuar prozaikisht, pa u dhënë peshën që po u firas në një tokë të zhuritur, e cila pret rrezet e diellit për ta begatuar. Të tërhiqet vëmendja përtej të arsyeshmes, kjo nuk është zgjidhje. Shpagimi i vërtetë i njeriut qëndron në fitoren ndaj pengesave; ai ka nevojë të lodhet në këtë luftë të përditshme, ashtu sikurse urithi gërmon galeritë.
Pastaj, nuk do shumë kohë kur në shtator të marrë detyrën kryeministri i ri dhe qeveria e tij, pikërisht atëherë kur pritet të agojë dita. Dhe dita që zëvendëson natën e sfumon edhe djallin me zilkat e tij. Ndonëse ky, do të bëjë si të bëjë dhe do të përpiqet ta krijojë rastin për të ndjellë muzgun. I verbuar nga dita, por i drejtuar nga prirjet monstruoze të natyrës së tij, do të kërkojë të shpikë telashe dhe intriga të reja, të ngatërrojë edhe të tjerë në mashtrime dhe veprime të pandershme të çdo lloji, vetëm e vetëm që të sundojë përsëri netëve pa hënë. Por, ai nuk ka më mbështetje, për t’u marrë në konsideratë. Nuk ka më mbështetje as brenda vendit dhe as jashtë tij. Madje, këtu e themi dhe këtu e lëmë, nuk i është dhënë as ndonjë garanci për të mos u prekur nga ndëshkimi ai vetë dhe familja e tij. Sepse, tek e fundit, mesazhi që vjen qysh nga periudhat e hershme, kur djalli zuri vend në botën e njerëzve, ka një domethënie absolute: “Vita motu constat” (Jeta është lëvizje).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›